(18.08.2009 RV)Kush ishte Flori, të cilit i kushtohen vepra arti në Rusi e
në Kapadokie, në Sicili e në Suedi, për të cilin flet edhe Tolstoi në veprën e famshme
‘Lufta e paqja”? Pse iu kushtua një shenjtërore pranë Moskës, ku besimtarët mblidhen
sot për ta kujtuar? Pse Flori e Lauri u shpallën pajtorë të kuajve? E të një fshati
në provincën italiane të Katanxaros? Këto pyetje na lënë të kuptojmë se Flori, së
bashku me vëllain e tij binjak, Laurin, nuk janë vetëm Martirët e Ulpianës në Kosovë,
por edhe Shenjtorë shumë të dashur për të gjitha Kishat lindore. Për ta është
shkruar edhe një libër. Titullohet ‘Shenjtorët Flori dhe Lauri’1. Autor
është kalabrezi Antonio Bressi, i cili mblodhi gjithë materialin e mundshëm, duke
gërmuar ndër kisha, kuvende e, sidomos, ndër arkivet e mbarë botës. E ndërmjet
materialeve të shfrytëzuara si burime kryesore për të zbuluar jetën e dy shenjtorëve,
mund të përmendim sidomos Sinassarin kostandinopolian dhe tre recensione të ndryshme
të jetës së Menologjit (kujtojmë se Menologji është një përmbledhje tekstesh liturgjike
hagjiografike, që përdoret në Kishën ortodokse. Përmban pikërisht oficen dhe jetët
e shenjtorëve), si dhe dorëshkrimin e Benakit (shek X), që fillon drejtpërdrejtë me
jetën e shenjtorëve. Dorëshkrimet ruhen në Bibliotekën e Vatikanit: 141 (Shek X);
‘Vat. Gr. 1671 (Shek X) dhe Vat. Gr . 821 (shek XI- XII) I kujtuam burimet, sepse
ndonëse të shfrytëzuara, mund të rishikohen, për të zbuluar elemente të reja, që pasurojnë
njohuritë për Shenjtorët e Ulpianës, duke iu përgjigjur një mori pyetjesh mbi kronologjinë
e jetës së tyre: mbi vendin ku linden, ku u rritën, ku iu kushtuan misionit e ku u
martirizuan. E kjo sepse të dhënat, ardhur nga kohë të mugëta, janë shumë të diskutueshme.
Burim tjetër i çmuar për njohjen më të thellë të Shenjtorëve, është edhe ikonografia
shumë e pasur, që u kushtohet. E përpjekja për të ditur diçka më shumë, nuk bëhet
thjeshtë për të shuar kureshtjen, por sepse Vëllezërit Martirë mbeten modele të ndritura
për popullin e krishterë. Nga Enciklopedia e Shenjtorëve mësojmë se konsiderohen
vëllezër, me mjeshtri gurëgëdhenës, ose skulptorë, por edhe ndërtues shtëpish, nxënës
të Prokulit e të Maksimit, në Bizant. Mësuesit e tyre, edhe ata të krishterë, pësuan
martirizimin nën perandorin Adrian (117-138), kur dy vëllezërit ikën nga Bizanti,
u vendosën në Iliri e u vunë në shërbim të Likonit, sundimtarit romak të Ulpianës
(Prishtina e sotme). Një farë Liçini, bir i perandoreshës me emrin Elpidia, u
kërkoi të ndërtonin një tempull. Vepra u krye me mjeshtri të rrallë. Madje gjatë ndërtimit
ndodhi edhe një mrekulli: të birit të Anastasit, prift pagan, ndërsa ishte i panishëm
në punime, i hyri një cifël guri në sy; dy vëllezërit e shëruan mrekullisht e arritën
edhe ta kthenin në fenë e krishterë, së bashku me të jatin. Por kur dy shenjtorët
panë se në tempullin e sapo ndërtuar po vendoseshin shtatoret e idhujve paganë, kremtuan
më parë një procesion të krishterësh të prirë nga Kryqi e pastaj organizuan një grup
të madh varfanjakësh, të cilëve u shërbenin. Hynë me ta në tempull e i bënë copë-copë
idhujt. U arrestuan të gjithë e u dënuan pa pikë mëshire. Të varfërit i dogjën
të gjallë, ndërsa dy shenjtorët vëllezër, pasi i hetuan, i hodhën në një pus, ku i
varrosën për së gjalli. Nuk ishin të parët që e dëshmonin kështu Krishtin deri
në fund të fundit. Për së gjalli do të groposej edhe Marcia, martirja e parë e krishterimit
në viset ilire; e një fund të tillë do të pësonin, dymijë vjet më pas, martirët e
kohëve moderne, Atë Aleksandër Sirdani e dom Dedë Çuni. Mizoria e xhelatëve modernë
ua kaloi edhe atyre të lashtësisë, sepse dy martirët i mbaruan ditët tyre tokësore
të varrosur për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.
1. Antonio Bressi “I
Santi Floro e Lauro”, Grafica C –Napoli, 1998.