Çelësi i fjalëve të Kishës: “Fjala ‘festë"( emisioni VI)
(17.08.2009 RV)Të dashur dëgjues,
në emisionin e sotëm do të shpjegojmë fjalën “festë” në kuptimin që i jep asaj
krishterimi.
Në të gjitha qytetërimet, festa është një lloj tempulli në
kohë. Ashtu si në hapësirë përcaktohet një vend i shenjtë ku të ngrihet “shtëpia e
Zotit”, edhe në kohë, në histori, i rezervohen disa ditë kultit, shkëputjes nga veprimtaria
e përditshme, takimit me Zotin e me bashkësinë. Në Bibël kemi një kalendar festiv
të hollësishëm, që kremton tri solemnitete në harkun vjetor: Pashkët, Rrëshajët dhe
Tendat. Fillimisht, ato ishin festa sezonale e përcaktonin pranverën, me shkuarjen
e barinjve në mal, verën, me korrjen dhe vjeshtën, me vjeljen e rrushit. Izraeli
i shndërron në përkujtime të ngjarjeve historike të jetuara nga populli: Pashkët evokojnë
lirimin nga skllavëria egjiptiane; Rrëshajët (apo festa e Javëve) dhuratën e Ligjit
në Sinai; Tendat, qëndrimin pikërisht në tenda gjatë udhëtimit për në tokën e premtuar.
Nga rite bujqësore, solemnitetet hebraike u shndërruan në kohë të lidhura me historinë
e shpëtimit, duke u dhënë mundësi njerëzve të rijetonin kështu përvojën kohore tridimensionale. Në
të vërtetë, gjatë festës evokohej e kaluara, e cila ishte akoma e gjallë në të pranishmen,
por hidhej edhe vështrimi drejt së ardhmes mesianike, kur shpëtimi i popullit hebraik
do të plotësohej me gjithsej. Ky profil i shumëfishtë mbetet edhe ne festat e krishtera,
që e kanë qendrën në Pashkët e Krishtit. Ngjarja e kaluar vazhdon të përjetohet në
të tashmen që po kremtohet, ndërsa shpresohet në Pashkët e mbretërisë së Hyjit, kur
“nuk do të ketë më vdekje” e kur “Zoti do të jetë gjithçka në të gjithë”. Jo vetëm
viti karakterizohet nga festa të ndryshme; çdo javë kemi një ditë pushimi e lutjeje.
Është “dita e shtatë”, që në tregimin e krijimit të Gjithësisë mishëron amshimin dhe
është gati “koha e Zotit” (Zan 2,1-4). Urdhërimet e Tënzot na nxisin ta jetojmë këtë
ditë si të ishte një lloj Pashkësh javore e pas Krishtit, dita e dielë e merr tërësisht
këtë kuptim, të lidhur me Ngjalljen e Jezusit. Profetët, ashtu siç bënë për tempujt
e ritet e tij, u munduan që festat të mos reduktoheshin në akte thjesht të jashtme,
por të ndërthureshin me impenjimin për një jetë të denjë, që nuk i harron të mjerët,
për një fe të pastër që mund të ndikojë në punët e përditshme të shoqërisë. Festa
e krishterë pra nuk është një lloj ishulli i shenjtë, ku kremtohet riti, por një farë
e mirë që i jep kuptim e fryte historisë së njerëzimit.