2009-08-17 17:12:41

Atentat në Ingusheti. 20 të vrarë dhe më se 70 të plagosur.


(17.08.2009 RV)Një kamion bombë kamikaze shpërtheu sot paradite në Nazran, qendra më e rëndësishme e republikës autonome të Ingushetisë. Nga atentati mbetën të vrarë në vend 20 persona si edhe u plagosën 70 të tjerë ndër të cilët dhjetë fëmijë. Lajmi u bë i ditur nga presidenti ad interim Gaisanov. Sipas burimeve të prokurorisë kamioni me dinamit shpërtheu në oborrin e ndërtesës ku gjendet shtatmadhoria e policisë. Nga shpërthimi është rrënuar edhe pallati ngjitur me të. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për të shpëtuar personat që janë gjallë nën rrënojat e dy ndërtesave.
Ingushetia, republikë autonome e Rusisë jugore dhe pikë e rëndësishme kalimi për tubacionet e gazit e të naftës, ka kohë që po përjeton një krizë të thellë ekonomike e cila vihet re edhe në valën e dhunës që ka përfshirë vendin. Muajin që shkoi u plagos rëndë në një atentat vetë presidenti Jevkurov. Sipas ekspertëve atentati i sotëm me kamikaze vetëm sa e përkeqësoi situatën në vend, e cila që tani mund të quhet luftë civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.