2009-08-15 12:53:58

Çelësi i fjalëve të Kishës: “Fjala popull-grigjë e Hyjit’( emisioni V)


(15.08.2009 RV)RealAudioMP3 Me emrin “popull” është luajtur shpesh në të gjitha kohrat, por sidomos në diktaturë, kur “në emër të popullit” vriteshin e priteshin edhe meshtarë e murgesha. Edhe sot, “ në emër të popullit” miratohen ligje e bëhen shumë gjëra, për të cilat populli nuk do të ishte aspak dakord. Prandaj, në këtë emision, do të shpjegojmë se fjala “popull” për fenë e krishterë, kuptohet si “grigja e Hyjit”.
Në Besëlidhjen e Vjetër, shpesh ndeshemi me profetë, që ngrenë zërin kundër kombeve, të ndryshme nga Izraeli, i cili konsiderohej populli i zgjedhur prej Zotit. Por nuk mungojnë tekste, ku këto kombe apo popuj të tjerë shihen me sy tjetër, ku thuhet se Zoti kujdeset edhe për to, i udhëheq drejt një jete të drejtë, në mënyrë që të shëlbohen prej Tij. Shembull për këtë është Jona, i cili dëshmon se si Zoti kujdeset edhe për Niniven, kryeqytetin asir, tradicionalisht kundërshtar i popullit hebraik. Madje, në Librin e profetit Isaia lexojmë këtë bekim hyjnor: “Qoftë bekuar populli im egjiptian, edhe vepra e duarve të mia, asiri, dhe trashëgimi im Izraeli” (19,25).
Le të shqyrtojmë përdorimin pozitiv të fjalës “popull”, që i referohet Izraelit në Besëlidhjen e Vjetër e, Kishës, popullit të fituar nga Zoti, në Besëlidhjen e Re. Zoti ka lidhur aleancë me popullin e vet. Siç thuhet në Besëlidhjen e Vjetër, në Librin e Levitikut: “Unë do jem Zoti juaj e ju populli im” (Lev 26,12). Për këtë arsye shpesh Zoti paraqitet si mbret, si bari, si kryetar, si udhëheqës, pasi fjala hebraishte “segullah” tregon grigjën, që është pronësi e bariut e jo atë, që bariu e kullot për llogari të dikujt tjetër. Ekziston një lidhje e pandashme ndërmjet Zotit dhe popullit të vet. Në këtë kuptim, Zoti kujdeset, bekon, shuan urinë e i jep të mira Izraelit, popullit të vet.
Nuk mund të lëmë mënjanë edhe aspektin negativ, që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Hyjit dhe popullit të vet. Nganjëherë, populli nuk i qëndron besnik Hyjit dhe zgjedh zota të tjerë. Është shembulli i Izraelit, i cili me mëkatin e idhujtarisë, largohet nga Zoti e bëhet një komb i çfarëdoshëm, mbi të cilin bie dënimi hyjnor. Por, sapo Izraeli pendohet, dashuria e përjetshme e Zotit e kërkon menjëherë popullin e vet, duke e falur. Dëshira e Zotit mbetet pra, gjithnjë, ajo që Shën Pali e përcakton si “formimin e një populli të pastër, që t’i përkasë” (Titit 2,14).







All the contents on this site are copyrighted ©.