2009-08-15 12:50:27

Zoja, Mbretëreshë, e ngjitur në Qiell.


(15.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në se dogma e Zojës së Ngjitur në Qiell është e re (1 nëntor 1950), Fjetja dhe Ngjitja e Marisë në të djathtën e të Birit, është festë shumë e lashtë e solemne. Në përshpirtërinë popullore ajo, për antonomazi, është Dita e Marisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e saj, kremtohet si festa e parë mariane. Prandaj bizantinët, ashtu si për Pashkë e për Krishtlindje, nga 1 deri më 14 gusht, mbajnë një krezhmë të vogël mariane. Në Etiopi festa paraprihet nga 15 ditë agjërimi. E në Romën e krishterë, feriae Augusti (festa e perandorit Qesar Augustit) u shndërrua në feriae Augustae: festime për nder të Augustes e Sovranes, Zojës sonë, Nënës Shenjte të Zotit.
Dhjetra katedrale e kisha në mbarë botën ngrihen drejt qiellit, si shenjë monumentale e këtij solemniteti. I kushtohen Gruas që, e veshur me Krishtin-diell dhe e kurorëzuar me dymbëdhjetë yje, ngjitet në qiell e hyn, plot lumni, në tempullin e amshuar të Hyjit. Zonjë e parë e Parajsës, ajo nderohet si portiere e qiellit. “Falë të ngjiturit të Nënës, qielli hapi portat edhe për bijtë” – na kujtoi Papa Benedikti XVI në festën e Zojës së Ngjitur në Qiell, më 15 gusht 2005. Mbretëresha e lumnueshme, që rri më të djathtë të Birit, na ndihmon edhe ne, shtegtarë mbi tokë, në ecjen e vështirë drejt cakut.
Për fat të keq sot çdo solemnitet i krishterë, shoqërohet me një solemnitet pagan. Kremtojmë të ngjiturit e Zojës në Qiell, por edhe kulmin e gushtit; ashtu si Krishtlindjen e krishterë e atë pagane. E njëjta gjë edhe për Pashkët. Ne duhet të kemi guximin t’i dallojmë mirë këto festa. Për ne 15 gushti nuk është kulmi i gushtit, nuk është zemra e pushimeve; s’është deti as mali. Është një britmë që dëgjohet nga Qielli, që na kujton se, në sa jemi ende në tokë, nuk duhet ta harrojmë cakun, sepse kur shtegtari harron për ku është nisur, humbet rrugën. Ndërsa kur kujton cakun, shtegton me gëzim, edhe kur i duhet të kalojë prova, sepse e di mirë që në fund të udhës është një shtëpi, që e pret.
Poeti Françesko Petrarka (1304-1374), në këngën‘Virgjër e Bukur, e veshur me diell” i lutet: “
“Ndihmomë në betejën, që e luftoj për ditë,
edhe pse unë jam baltë, e ti Mbretëreshë, je dritë”!
Ndërsa imzot Pjetër Bogdani ynë, në ‘Çetën e Profetëve’, i këndon kështu ‘Të Ngjiturës në Qiell’:
“Me diell veshun’, e mbathunë me hanë,
me yj kryetë rreth’ ngjeshunë Kunorë,
Vajza Mrí, e bukura ma fort se zanë,
Djalinë Jesu kerthí mba ngrykë ndorë”.Në poezi, ashtu si në arkitekturën e në ikonografinë e Nënës që ngjitet në qiell, mund të zbulojmë shenjën e shpresës së lume të krishterë, por edhe sigurinë se, pas vdekjes, na pret një jetë e re: amshimi!







All the contents on this site are copyrighted ©.