2009-08-15 12:57:54

Sot Kisha katolike përkujton Shna Rrokun.


(16.08.2009 RV)Sapo shqiptohet emri i Shenjtit, në përfytyrimin tonë lind figura e tij, me veshjen e shtegtarit, me qenin pranë, me dorën e shtrirë, në të cilën shtrëngon një bukë. Shtatoret e tij frymëzohen pikërisht nga një çast i jetës së shenjtit, kur u sëmur nga kolera dhe u detyrua të strehohej në një kasolle. Do të kishte vdekur nga uria, sikur një qen zarbo të mos i kishte sjellë çdo ditë një bukë e sikur nga toka ku ishte shtrirë, i vetmuar e i braktisur, të mos kishte shpërthyer një gurrë e mrekullueshme uji, ku shuante etjen. Në atë gjendje e gjeti patrici Gottardo Pallastrelli, nga Piacenza, i cili e mori në shtëpinë e tij, ku e mjekoi deri sa u shërua plotësisht. Si u largua nga Piacenza, Rroku u drejtua nga veriu, por, pranë Liqenit të Madh, në Angera, e ngatërruan me një spijun të kërkuar nga policia dhe e flakën në burg, ku e mbajtën për pesë vjet e ku edhe vdiq, i harruar nga të gjithë, më 1380.
Shenjti është posaçërisht i nderuar në Shqipërinë e Veriut e në Kosovë, ku shumë besimtarë mbajnë emrin e tij. Është pajtori i fshatit të peshkatarëve, Shirokës, buzë Liqenit të Shkodrës, ku sot u organizua procesioni tradicional me këngë të përshpirtshme rreth e qark Kishës së re, së cilës i shërbejnë rregulltarët orioninë.
Një kishë tjetër kushtuar Shëna Rrokut ndodhet në Kosovë, në fshatin Novoselë, ku gjithashtu sot u kremtua me përshpirtëri festa e Pajtorit.







All the contents on this site are copyrighted ©.