Solemniteti i të ngjiturit të Zojës në Qiell. Papa: “Të nxitojmë vetëm për të ndjekur
Zotin”.
(15.08.2009 RV)Gjithë jeta është
luftë ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes. Është si udhëtim në
një det shpesh herë tepër të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt Birit të
saj Jezusit, diell që lindi përmbi errësirën e historisë e na jep shpresën për të
cilën kemi nevojë. Na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund. Këtë theksoi sot paradite
Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në solemnitetin e të ngjiturit të së Lumes
Mari në Qiell, në Famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, në Kastel Gandolfo. Ati i Shenjtë
komentoi Ungjillin e ‘Magnificat’ dhe nxitimin e Virgjërës Mari te Elizabeta, duke
shpjeguar se e gjithë jeta duhet të jetë ky nxitim i shenjtë, me vetëdijen se Zoti
zë gjithnjë vendin e parë në jetën e çdo njeriu e se asgjë tjetër nuk duhet të na
bëjë të nxitojmë në rrugët e jetës. Papa arriti në këmbë nga Pallati Apostolik
i Kastel Gandolfos në famullinë, ku e prisnin qindra besimtarë, vendas e të huaj.
Shoqërohej nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, nga Georg
Racinger, që vijon pushimet pranë të vëllait, nga prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot
Xhejms Harvei dhe ipeshkvi i Albanos, imzot Marçelo Semerari. Pasi përkëdheli disa
fëmijë në krahët e nënave, Benedikti XVI i përshëndeti besimtarët me të dyja duart,
ndonëse vijon ta ketë kyçin e djathtë në allçi. Kremtoi, në fillim, ritin e bekimit
dhe u gjunjëzua për pak çaste para një elteri. Kryesoi, më pas, Meshën Shenjte, në
homelinë e së cilës u përqendrua kryesisht tek solemniteti i sotëm, që kurorëzon ciklin
e kremtimeve të mëdha liturgjike, në të cilat kundrojmë rolin e Virgjërës Mari në
historinë e shëlbimit. Zënia pa mëkat, Lajmërimi, Amësia Hyjnore e të Ngjiturit në
Qiell janë etapat kryesore, të lidhura ngusht ndërmjet tyre, me të cilat Kisha larton
e këndon fatin e lum të Nënës së Zotit. E në këtë fat mund të lexojmë edhe historinë
tonë. Misteri të Zënit pa mëkat të Marisë – shpjegoi Papa - të kujton faqen e parë
të jetës njerëzore, duke na treguar se, në planin hyjnor të krijimit, njeriu duhet
të kishte pastërtinë e bukurinë e së Papërlyerës. Ky plan, i rrezikuar, por jo i rrënuar
nga mëkati, përmes mishërimit të Birit të Zotit, u realizua plotësisht në Marinë,
gjë që i krijoi përsëri njeriut mundësinë për ta pranuar lirisht në fe. Së fundi,
në të ngjiturit e Marisë në qiell kundrojmë cakun ku duhet të arrijmë në mbarim të
shtegtimit tonë mbi tokë, duke ndjekur Krishtin e duke iu bindur fjalës së tij. Më
pas Benedikti XVI komentoi faqen ungjillore të Shën Lukës, që na përshkruan sesi Maria
u nis me nxitim në krahinën malore, për të vizituar Elizabetën. Me shtegtimin e saj
plot bindje – shpjegoi Papa – na tregon se duhet të përshkojmë ngutshëm një udhë të
re, duke e lënë vetën plotësisht në dorën e Zotit. Më pas Ati i Shenjtë citoi Shën
Ambrozin i cili, duke komentuar nxitimin e Marisë, pohon: “Hiri i Shpirtit Shenjt
nuk pranon ngadalësi. Jeta e Zojës udhëhiqet nga një Tjetër, modelohet nga Shpirti
Shenjt, përshkohet nga ngjarje e takime, si ai me Elizabetën por, mbi të gjitha, nga
lidhja krejtësisht e posaçme me Birin e saj, Jezus. Është shtegtim në të cilin Maria
shikon në të gjitha ngjarjet e jetës planin e thellë e misterioz të Hyjit Atë për
shpëtimin e botës”: “Në sa e ndjek Jezusin nga Betlehemi në Egjipt, në jetën
e mënjanuar e në atë publike, deri tek këmbët e Kryqit, Maria jeton ngjitjen e saj
të vazhdueshme drejt Hyjit me frymën e Magnificat, duke u bashkuar plotësisht, edhe
në çastin e vuajtjes, me planin e dashurisë së Zotit, aq sa të bëhet paradigmë për
fenë e Kishës”. Më pas Papa kujtoi se jeta e çdo njeriu ka një cak të
mirëpërcakuar: “Ngjitja e Zojës në qiell na kujton se jeta e Marisë, ashtu
si jeta e çdo të krishteri, është shtegtim pas Krishtit, që ka një cak tejet të përcaktuar,
një ardhmëri të qartë: fitoren përfundimtare mbi mëkatin e mbi vdekjen dhe bashkimin
e plotë me Hyjin”. Por ndërsa ne nuk jemi të bashkuar ende përsosurisht
me Krishtin, Virgjëra Mari hyri plotësisht në bashkim me Hyjin, me Birin e vet: “Jeta
e njeriut mbi tokë – tha Benedikti XVI duke komentuar leximet biblike
– është shtegtim që vijon në frymën e tensionit të luftës ndërmjet dragoit
e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes. Është si udhëtim në një det shpesh herë tepër
të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, diell që lindi
përmbi errësirën e historisë, për të na dhënë shpresën se do të fitojmë, se nuk do
t’i nënshtrohemi përgjithnjë së keqes e mëkatit, në pritje të qiellit të ri e tokës
së re”. Në përfundim, me fjalët e Shën Bernardit, këngëtarit mistik të
Marisë, Ati i Shenjt i ftoi besimtarët t’i drejtohen Nënës së Zotit me fjalët: “Të
lutemi, o e Lume, për hirin që gjete, për privilegjet që meritove, për Mëshirën që
linde! Na e nxirr hirin që Ai, i cili nëpër ty u denjua të merrte pjesë në mjerimin
e në gjymtimin tonë, falë lutjes sate, të na bëjë pjesëmarrës në lumninë e tij të
amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, Zoti ynë, i cili është mbi gjithçka, Hy i bekuar në
shekuj të shekujve. Amen!
Në mesditë, takimi tradicional i Engjëllit të
Tënzot, në Oborrin e Pallatit Apostolik të qytezës laciale. Në qendër të vëmendjes,
festa që u kremtua sot, në zemër të gushtit, kur shumë njerëz nga të katër anët e
botës vijojnë pushimet verore, si dhe devocioni i Shën Gjon Vianejt, famullitarit
të Arsit, të cilit Papa i kushtoi Vitin meshtark, për Zojën e Bekuar. Është hera
e pestë që Benedikti XVI kryeson ritet e solemnitetit të të ngjiturit të Zojës në
Qiell, festa më e lashtë mariane.