2009-08-15 12:57:30

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(15.08.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e 20-të të Kohës së zakonshme gjatë viti kishtar. Përkujtoi edhe Shën Shtjefnin, mbret i Hungarisë dhe Shën Rrokun, shtegtar.

Të hysh në jetën e pasosur: dëshirë e realizueshme, po të ecim hap pas hapi në gjurmët e Zotit. Na e kujtojnë Shenjtorët Euzebi, papë e martir dhe Shën Kjara e Montefalkos, abateshë agostiniane, që do të kremtohen të hënën.

 
Shën Flori e Lauri, martirë të Ulpianës, në Kosovë; Shën Agapito, martir e Shën Helena, perandoreshë, në festën e tyre liturgjike, të martën, na kujtojnë se në krijesën e re nuk merren fare parasysh pasuritë, fitimet, pozitat. Kush di të heqë dorë prej tyre që tani, do të marrë si shpërblim njëqindfishin.

I zoti i vreshtit dëshiron të marrë punëtorë të rinj në të gjitha orët e në të gjitha situatat: a jemi gati të punojmë për të në të gjitha kushtet e mundshme? Na e bëjnë këtë pyetje shenjtorët, që do të kremtohen të mërkurën: Gjoni Eudes, meshtar, themelues i Eudistëve; Shën Siksti III, papë; Shën Manji, martir.

 
“O Zot, e di se do të kem jetë vetëm duke bërë vullnetin tënd!” – brohorisim së bashku me Psalmistin në liturgjinë e së enjtes, festë e Shenjtorëve Bernardi, abat e dijetar i kishës; Samueli, profet e Shën Maria de Matias, virgjër, themeluese e Motrave Adhuruese të Gjakut të Krishtit.

Në dashurinë e pakufishme të Jezusit për Hyjin e për të afërmin përmblidhen të gjitha format e të gjitha shprehjet e dashurisë njerëzore e hyjnore. Prandaj të duash Jezusin do të thotë edhe të duash si Jezusi. Ky është reflektimi kryesor që përshkon liturgjinë e së premtes, ditëfeste e Shën Piut X, papë.

E bekuar je, ti, o Mari, mbi të gjitha gratë! Kurora jote janë të zgjedhurit, besnikët e ndërmjetësimit tënd amtar e të fjalës së Krishtit, që na bëri ne të gjithëve bijtë e tu. Këtë na kujton të shtunën liturgjia, në kremtimin e Virgjërës Mari, mbretëreshë.

E diela e ardhshme është e 21-ta e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.