(15.08.2009 RV)Më pëlqen, Mari, kjo festa jote, që vjen, kur ne pushojmë,
lulëzon mes të gushtit e na kujton se caku ynë nuk është prehja, po lumturia
e Hyjit. Është bukuria e Zotit. Në sa trupat tonë prehen, mes heshtjes, në
blerim e kaltërsi, e theken nën rrezet e diellit, a marrin frymë në maje malesh, na
bën ta shohim lumninë e Hyjit që trup e shpirt na i përtrin. Sepse shëlbimi
nuk është veç për shpirtin, është dhe për korpin. Si mund ta përjashtojmë nga
lumnia e amshuar, kur ne me të jetuam? Me të nisëm udhën drejt cakut? Me
trupin tonë ne shprehëm ndjenja fisnike, deshëm, ndihmuam, bëmë miq e dashamirë. Me
trupin tonë luftuam, që botën ta bëjmë më të mirë; falëm e ngushëlluam me këtë
trup, dhuruam gëzim e hare. Prandaj më pëlqen kjo festa Jote, O Nënë Mari, Se
më fton të besoj, të shpresoj e të dua me gjithë vetveten: me trup e me shpirt! Amen!