2009-08-13 17:49:43

U përkujtuan sot Shën Ponciani e Shën Hipoliti. Papa: dëshmojnë se dashuria fiton mbi vdekjen!


(13.08.2009 RV)Shenjtorët, që përkujtoi sot Kisha katolike, janë Ponciani papë e Hipoliti meshtar. Ponciani u zgjodh papë në vitin 230 dhe u ul në fronin e Shën Pjetrit më 21 korrik të të njëjtit vit. Asokohe perandoria romake sundohej nga Aleksandër Severi e Kisha gëzonte një periudhë paqeje.
Prifti Hipolit ka shumë mundësi të jetë Hipoliti i ditur, antipapë, që i pati sjellë shumë trazime Kishës së Romës atyre viteve. Këta dy burra, që jetuan në kundërshtim me njëri tjetrin, duke besuar që të dy Krishtin e duke punuar për lavdinë e Tij, i bashkoi martirizimi i përbashkët për të njëjtin Zot. E derdhën njëherësh gjakun për Krishtin në Sardenjë, ku ishin internuar, në vitin 235. Sipas Martiriologut Romak, trupat e tyre u mbartën në Romë e u varrosën: i pari, në varrezën e Shën Kalistit e i dyti, në varrezën e rrugës Tiburtina.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, duke folur për Shën Poncianin papë, Shën Hipoltin meshtar e Shën Lorencin diakon, Benedikti XVI ua prozoi besimtarëve si modele të mrekullueshme të shenjtërisë. Si të gjithë shenjtorët, e posaçërisht martirët - tha Papa – janë dëshmitarë të Hyjit-Dashuri, të asaj dashurie, që di të dojë deri në fund të fundit, që nuk i përgjigjet së keqes me të keqe, por e lufton të keqen me të mirë:
“Prej tyre ne të gjithë, e posaçërisht meshtarët, mund të kuptojmë heroizmin ungjillor, që të shtyn, pa kurrfarë frike, të japësh jetën për shpëtimin e shpirtrave. Dashuria fiton mbi vdekjen!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.