2009-08-13 16:37:15

Letër e Papës për njëmijëvjetorin e dioqezës hungareze të Pécs. Rrënjët e krishtera të Evropës në magjisterin e Benediktit XVI.


(13.08.2009 RV)RealAudioMP3 “Një rast i përshtatshëm, që u krijon besimtarëve mundësinë të përtërijnë fenë e dashurinë për Kishën e për Ungjillin”: kështu shkruan Papa në Letrën drejtuar kardinalit Kristof Shënborn, i dërguar i tij i posaçëm në kremtimet për njëmijëvjetorin e themelimit të dioqezës hungareze të Pécs. Kryeipeshkvi i Vjenës do të jetë në Pécs më 23 gushtin e ardhshëm, për të kremtuar njëmijëvjetorin e dioqezës hungareze, që njihet edhe me emrin ‘e pesë Kishave’, themeluar gjatë papnisë së Sergjit IV. Ngjarje kjo, që dëshmon qartë sa thellë shtrihen rrënjët e Ungjillit në historinë e mbarë Evropës. E kjo na nxit t’u rikthehemi disa prej meditimeve të Papës për rrënjët e krishtera të Kontinentit të Vjetër:

Evropë, ji vetvetja! Që nga fillimi i papnisë së tij, Benedikti XVI i nxit popujt evropianë të mos i harrojnë rrënjët e tyre të krishtera. Një pasuri e pallogaritshme, rezervë vlerash, të cilat edhe sot përfaqësojnë një themel të shëndoshë për ndërtimin e Evropës së Bashkuar. Pa kujtesë, nuk ka të ardhme - nënvizoi Papa - duke u takuar me ipeshkvijtë e Komece, me rastin e 50-vjetorit të traktateve të Romës, më 24 mars 2007. Vlerat e krishtera duhet të jenë tharm i qytetërimit për Evropën e Mijëvjeçarit të Tretë. Ky është thelbi i reflektimit të Papës, që i nxit gjithë të krishterët e Kontinentit të Vjetër të impenjohen për një Evropë të drejtë e solidare, në sa qeveritë e Bashkimit nuk duhet ta përjashtojnë një element kaq themelor, siç është krishtërimi. Ati i Shenjtë vë theksin pikërisht mbi vlerat që themeluan Evropën e Bashkuar:
“Nuk mund të mendohet ndërtimi i shtëpisë së vërtetë të përbashkët evropiane duke lënë pas dore identitetin e popujve të Kontinentit tonë. Ky identitet, para se të jetë gjeografik, ekonomik e politik, është historik, kulturor e moral: identitet që përbëhet nga një tërësi vlerash universale, për formimin e të cilave kristianizmi nuk luajti thjeshtë një rol historik, por e themeloi Evropën. Vlera të tilla, që përbëjnë shpirtin e Kontinentit, në Evropën e Mijëvjeçarit të Tretë duhet të jenë tharm i qytetërimit”.
Që të mos humbasë, Evropa duhet t’i sjellë sytë nga Krishti: e ky ishte mesazhi i Papës gjatë shtegtimit të tij apostolik në Austri, në Shenjtëroren e Mariacelit, në shtator 2007:
“Si mund të harrojmë se Evropa është mbartëse e një tradite mendimi që lidh ngusht fenë, arsyen e ndjenjën? Filozofë të ndritur, edhe pavarësisht nga feja, e njohën rolin qëndror që luajti krishterimi për të mbrojtur vetëdijen moderne nga devijimet nihilistike e fondamentalistike”(Audienca e përgjithshme, 12 shtator 2007).
Kohët e fundit, duke folur përsëri për rrënjët e krishtera të Evropës, gjatë vizitës së tij në abacinë e Montekasinos, Papa ripërmblodhi e ripropozoi me forcë mesazhin e Shën Benediktit, “Ora et labora et lege”: “Lutu, puno e lexo”, që mbetet gjithnjë aktual. Mbi të gjitha, kujtoi lutjen, sepse vendi i parë i përket Zotit e Jezu Krishtit, në jetën personale e shoqërore. Pastaj punën: mundin e përditshëm, që duhet zbutur e idealizuar, duke zbuluar e duke respektuar vlerën e rendit të gjithësisë. Së fundi, leximin, dmth kulturën e edukimin.
“Në abacinë tuaj preket me dorë fakti se kultura evropiane ishte kërkim i Zotit e gatishmëri për ta dëgjuar zërin e tij. E kjo vlen edhe për kohën tonë”.
Të kujtosh rrënjët e krishtera, të nënvizosh vlerën e mesazhit ungjillor për jetën e Evropës, nuk do të thotë të vësh në rrezik përmasën e laicitetit të shëndetshëm. Benedikti XVI e ripohoi këtë me forcë gjatë shetgtimit të tij në Francë, në shtatorin e vitit të kaluar:
“Il est en effet fondamental, d’une part, d’insister..”Është themelore –vërejti Papa – të ngulmohet, nga njëra anë, për dallimin ndërmjet fushës politike e asaj fetare, që të mbrohet, kështu, liria fetare të nënshtetasve e përgjegjësia e Shtetit ndaj tyre e, nga ana tjetër, për fitimin e vetëdijes së qartë të rolit të pazevendësueshëm të fesë në formimin e ndërgjegjeve e të kontributit që mund të japë, së bashku me instancat e tjera, në krijimin e marrëveshjes etike të bazës në shoqëri. Laicitet, prandaj, nuk do të thotë kufizim i fesë në përvojën private, intimiste. Kjo vlen për çdo fushë të jetës, duke përfshirë kryesisht edhe shkollën:
“Laiciteti i shëndetshëm i shkollës, ashtu si i të gjitha institucioneve të tjera të shtetit, nuk nënkupton mospranimin e Zotit, as asnjanësinë e rreme ndaj vlerave morale, që janë në bazë të formimit të vërtetë të njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.