Vrasje e dhunë në Kaukaz: dy veprimtarë për të drejtat e njeriut vriten në Çeçeni.
(11.08.2009 RV)Nuk ndalet zinxhiri i vrasjeve në Çeçeni. Një muaj pas rrëmbimit
e vrasjes së Natalia Estemirovës, gazetare e bashkëpunëtore e organizatës jo qeveritare
ruse “Memorial’, dje në rrethinat e Groznit u gjetën trupat pa jetë të Zarema Sadulajevës,
drejtuese e organizatës jo qeveritare “T’i shpëtojmë breznitë” dhe bashkëshortit të
saj, të dy të vrarë me armë zjarri, pikërisht në të njëjtën orë, kur në Dagestan vritej
një reporter tjetër. Presidenti rus Medvjedjev, kërkoi të hidhet sa më shpejt dritë
mbi ngjarjen, ndërsa Amnesty International, t’i jepet fund një herë e mirë gjahut
kundër militantëve për të drejtat e njeriut. Është e qartë se dikush punon në
mënyrë të organizuar e të planifikuar për të shuar çdo zë, që guxon të thotë të vërtetën
e të mbrojë, edhe me çmimin e jetës, respektimin e të drejtave të njeriut për të
gjithë.