2009-08-12 18:09:22

Sot Kisha katolike përkujtoi të Lumin Inoçenci XI, papë


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Benedeto Odeskalki lindi në Komo të Italisë më 19 maj 1611 nga një familje fisnike. Pasi mori edukimin e parë në familje, vijoi shkollën në kolegjin e jezuitëve, në vendlindje. Mbeti jetim në moshë të njomë e iu desh të lëvizte nga Komo, në Gjenovë, në Romë e Napoli, ku studioi për drejtësi, derisa u diplomua në vitin 1639. Por në vend që të ndiqte karrierën shekullare, u vu në shërbim të Selisë Apostolike në Romë, ku iu ngarkua detyra shumë delikate e Komisionerit të jashtëzakonshëm të taksave. Papa Inoçenci X i dha tituj nderi, e krijoi kardinal diakon dhe e caktoi në Kurie. E ai i ndihmoi të varfërit aq, sa meritoi të thirrej “Ati i varfanjakëve”.
Më 1650 u emërua ipeshkëv i Novarës e, me që nuk ishte meshtar, sepse asokohe për të qenë kardinal nuk ishte i domosdoshëm shugurimi, pranoi vullnetin e Zotit dhe u shugurua meshtar e ipeshkëv. Punoi me një zell të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës kishtare e shoqërore të dioqezës.
Më 1654 shkoi në Romë për vizitë “ad Limina” e papa e mbajti pranë vetes si këshilltar.
U zgjodh papë më 21 shtator 1676 me emrin Inoçenci XI. Gjatë papnisë së tij 13-vjeçare, luftoi kundër nepotizmit, dënoi dhënien e parave me fajde, iu kundërvu jetës luksoze, nxiti bamirësinë e dha shembullin personal në të gjitha fushat. Qe në kontrast të plotë me mbretin e Francës, Luigjin XIV, që njihej me emrin “Mbreti Diell”. Luajti një rol të dorës së parë për krijimin e koalicionit evropian kundër rrezikut turk, duke nënshkruar traktate paqeje e duke lidhur aleanca, që arritën kulmin me mbrojtjen e Vjenës e të Budës përballë sulmit turk. Punoi me bindjen se detyra kryesore e papës ishte të mbronte fenë e krishterë. Me këtë bindje themeloi dioqeza, universitete, misione.
Vuajti nga një mori sëmundjesh, të cilat i mbarti me durim shembullor. Vdiq më 12 gusht 1689, u varros në Shën Pjetër, ku iu ngrit një monument madhështor. U shpall i Lum nga papa Piu XII më 7 tetor 1956.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.