2009-08-11 17:16:47

Tërmet në Ishujt Andamane e në Japoni. Rikthehet alarmi i cunamit


(11.08.2009 RV)Azia tronditet përsëri nga fatkeqësitë e natyrës: më parë nga një lëkundje e fuqishme tërmeti në ishujt Andamane, e pasuar nga një tjetër, në Japoni, pranë bregdetit verior të Honshu. Alarmi për rrezikun e një cunami të ri u ndje fort edhe në Indi, Birmani, Indonezi, Tajlandë e Bangladesh. Ndërkaq në Kinë miliona njerëz ikin nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga tifoni Morakot.
Tërmeti i fuqishëm, që tronditi në orët e para të mëngjesit Tokion dhe zonat përreth, shkaktoi panik, çrregullim të transportit, mbyllje të përkohshme të një centrali bërthamor, dëmtoi autostradën kryesore në jug të kryeqytetit japonez dhe shkaktoi një ndërprerje të shkurtër të lëvizjes së trenave të shpejtësisë së lartë. Tërmeti i sotëm është i dyti i këtyre përmasave pas atij të së dielës dhe ndodhi vetëm pak orë pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.6 ballë që goditi ishujt Andamane në Oqeanin Indian.
Në tetor të vitit 2004, një tërmet me fuqi 6.8 ballë goditi qytetin Niigata në veri të Japonisë duke shkaktuar vdekjen e të paktën 65 personave dhe duke plagosur më shumë se 3,000 të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.