2009-08-11 17:16:18

Sipas Karitasit, dënimi i emigrantëve të parregullt do të ketë ndikime negative


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në Itali duhet të ketë rreth një milion emigrantë të parregullt. Shifër më e lartë, se ajo që jep OSBE-ja, sipas së cilës numri i emigrantëve pa dokumenta duhet të jetë rreth 500 deri në 750 mijë vetë. Korrigjimi bëhet nga Karitasi, që i rikthehet kësaj teme shumë delikate për vendet nga vijnë emigrantët, në një çast tensioni politik, kur hyn në fuqi ligji, sipas të cilit klandestiniteti konsiderohet krim e fillojnë arrestimet e para, kur roli i emigrantëve në sektorin e punëve të ndryshme, sidomos të punëve të rënda të krahut, vijon të bëhet gjithnjë më i nevojshëm. Për një koment të situatës, ftuam në mikrofonin tonë Oliviero Fortin, drejtor për emigracionin pranë Karitasit italian:

Përgjigje: - Sigurisht që shifra një milion është e rrumbullakosur, kështu mund të rinisemi nga shifra më e ultë prej një gjysëm milioni, për të arritur tek një milion emigrantë, që jetojnë pa dokumente në Itali. Por kjo nuk ndryshon gjë. Është fjala për një numër shumë të madh personash pa lejë qëndrimi, të cilët sot bëjnë punë të shumëllojta, sidomos në gjirin e familjeve italiane. Shifra mbetet e papërcaktuar, sepse historikisht nuk është vërejtur asnjë dëshirë për ta trajtuar me seriozitetin e duhur fluksin e hyrjes së emigrantëve.

Pyetje: - Ç’pasoja do të ketë mbi këtë numër, gjithsesi tejet i madh, krimi i klandestinitetit?

Përgjigje: - Besojmë se nuk do të ketë kurrfarë ndikimi pozitiv mbi dyndjen e emigracionit drejt vendit tonë. Nuk bën tjetër, veçse i rëndon procedurat, edhe kështu tejet të rënda. Madje mund të themi se thellon edhe atmosferën e intolerancës, të një farë qëndrimi armiqësor, kundër të cilit flitet shumë por, siç e shikoni, bëhet pak, madje përkundrazi, ndizet më keq përmes qëndrimeve të tilla.

Pyetje: - Pra edhe ju, si OSBE- ja, mendoni se shumica e emigrantëve punojnë?

Përgjigje: - Tashmë dihet se vendi ynë ka nevojë për punëtorë, pa marrë parasysh lejet e qëndrimit. I duhen sidomos për të mbështetur shtresat e ligështa të shoqërisë: të moshuarit e të sëmurët. Por jo vetëm ata: mendoj se ka nevojë edhe për punë të tjera bujqësore, sidomos në këtë periudhë. E pikërisht këtu vërehet shumica e parregullsive. Kështu përpjekja duhet bërë në mënyrë më të ndjeshme. Nuk duhen pajisur me dokumente vetëm gratë, që shërbejnë nëpër shtëpi si kujdestare të të moshuarve apo si bashkëpunëtore në punët e përditshme, por edhe punëtorët e kategorive të tjera.

Pyetje: - Polemika kanë lindur edhe për problemin e integrimit të emigrantëve, në sa historia vijon të na japë mësime të reja. Ç’mund të na thoni për integrimin e vërtetë?

Përgjigje: - Integrimi realizohet pas një procesi të gjatë, të ndërlikuar, që duhet bërë me vullnetin e të dyja palëve. Nuk ka ligj as normë, që mund ta përcaktojë si duhet këtë proces. E megjithatë nuk duhet të mungojnë përpjekjet pozitive edhe në këtë drejtim, që nuk është më pak i rëndësishëm nga dokumentet, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me njeriun, me të ardhmen e tij e të vetë vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.