2009-08-11 17:15:50

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Varfëria jonë është vullnetare”


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e dhjetë të ciklit të emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes, Nëna e të varfërve më të varfër na tregon ç’e shtyu të themelojë një Kongregatë, që shkon plotësisht kundër rrymës. Në sa bota e sotme kërkon pasurinë e të pasurit, motrat e bamirësisë kërkojnë varfërinë e të varfërit. Në sa të gjithë mendojnë të dëfrehen sa më shumë e ta kalojnë jetën në mjedise sa më të këndshme, motrat e bamirësisë provojnë ngricë e vapë, gjnjëzohen në gur të gjallë, kanë vetëm dy palë petka e një palë sandale… e megjithatë, e ndjejnë veten plotësisht të lume. Cili është sekreti i kësaj lumturie? Pse nuk arrijnë ta gjejnë ata, që e kalojnë jetën në pupla, të rrethuar nga një shërbim i shkëlqyer, të pashqetësuar nga mendimi se duhet t’u shërbejnë të tjerëve, sepse për ta të shërbesh do të thotë ta flakësh jetën në pleh?
Kush i detyron motrat e Nënë Terezës ta zgjedhin këtë rrugë? Ja si na e shpjegon e Lumja:

“Ne nuk na detyron askush të jetojmë në varfëri. E zgjedhim vetë këtë rrugë, lirisht e me vullnet të plotë, për dashuri të Jezusit.
Shumkujt i duket marrëzi dëshira jonë për të ngrënë gjellë të rëndomta, e jo të zgjedhura; fakti që kemi vetëm dy palë rroba e vetëm një palë sandale shumë të thjeshta e edhe më shumë, se nuk mbathim çorape.
Mrekullohet shumkush e nuk arrin as ta kuptojë si mund të durojmë vapë e djersë, pa kërkuar fare freskinë e ventilatorëve, e si mund ta përballojmë acarin e dimrit, pa pasur nevojë për stufa.
Çuditen nga fakti se jemi gati të durojmë uri e etje e se nuk pranojmë të hamë në shtëpitë, ku na ftojmë të ulemi në sofër.
Habiten sesi bëjmë pa radiot e dorës, pa televizon, pa magnetofon, gjëra që mund të na e lehtësonin sadopak lodhjen, pas orëve të gjata, të kaluara me punë të rëndë…
Sesi ecim në këmbë në diell e në shi, si udhëtojmë në klasin e dytë të trenave e trameve të mbushur plot e përplot.
Si gjunjëzohemi mbi gurët ose mbi tullat e vrazhda të kapelave tona, në vend që t’i përkulnim gjunjtë mbi jastekë të butë.
Si mund të na pëlqejë të shtrihemi në një shtrat të vendour në korridorin e ndonjë spitali, ndërmjet të varfërve të Krishtit, kur do ta kishim fare të lehtë të siguronim dhoma private.
Si kryejmë detyra më të përvujta në shtëpitë tona, kur do të ishte tejet e lehtë të përdornim shërbëtorët e të zgjidhnim për vete detyra më të këndshme.
Si pastrojmë nevojtoret e lajmë dyshemetë në Shtëpinë e njerëzve në prag të vdekjes ose në Shishu Bhavan, sikur të ishim duke kryer detyrën më fisnike në botë, e si edhe këtë e bëjmë si vepër dashurie për Zotin.
Për ata që çuditen kësisoj, ne e flakim në pleh jetën tonë, i djegim më kot aftësitë tona.
E kështu edhe është, në se nuk do të kishim si model të jetës Jezusin.
Është aq e madhe dhe vijueshme kërkesa për të hapur shtëpi të reja nga t ë katër anët, sa aktualisht nuk mund të caktoj më shumë se katër motra së bashku në një fondacion të ri.
Në Kushetutën tonë të parë, patëm vendosur të mos kishte më pak se shtatë motra me seli në të njëjtin fondacion.
Numri erdhi gradualisht duke u pakësuar në gjashtë, pastaj në pesë. Kushetuta e re vendos që, kur është fjala për hapjen e një shtëpie të re, nuk duhet të dërgohen më pak se katër motra.
Kur dalin nga shtëpia, zakonisht motrat shkojnë dy nga dy.
Njërit, që më pyeti pse shkojnë çift, iu përgjigja:
“Sepse dy koka janë më të urta se një e vetme, e katër duar mund të punojnë më shumë se dy”.
Prita të vijonte pyetjen e të më thoshte pse nuk dërgoja tri, sepse kështu do të kishin edhe më shumë urti e aftësi për punë.
Pëgjigjen mund ta gjeni në Kushtetutë, ku pohohet sa më poshtë:
“Ungjilli na thotë se Jezusi i dërgonte apostujt dhe dishepujt dy nga dy në misionet e tyre apostolike: kështu edhe ne ndjekim pikërisht modelin Apostolik të propozuar nga Jezusi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.