2009-08-11 17:14:54

Mesazh i Papës për dyqindvjetorin e pavarësisë së Ekuadorit: të krishterët të impenjohen për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më solidare.


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI e siguroi popullin e Ekuadorit se e kujtoi gjatë lutjeve, me rastin e kremtimeve, organizuar dje, në dyqindvjetorin e pavarësisë së vendit.

 
Papa i shpreh afërsinë shpirtërore popullsisë së Ekuadorit. Në telegramin, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Papa lutet që Zoti t’u japë dhuratat e begata të hirit të tij, bijve të dashur të kësaj toke fisnike. Besimtarë me vlera të mëdha njerëzore e të krishtera – shton Ati i Shenjtë – ekuadorianët japin gjithnjë ndihmesën e tyre për ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore, më të drejtë e më solidare. Ati i Shenjtë kërkon edhe që përballë madhështisë së detyrës, që duhet të përballojë, populli i Ekuadorit të mbështetet mbi besimin në ndihmën hyjnore, sepse pa Zotin, njeriu nuk është në gjendje të sigurojë një ardhmëri më të mirë.
Gjatë Meshës solemne me rastin e dyqindvjetorit të pavarësisë, kryeipeshkvi i Kuitos, imzot Raul Eduardo Vela Kiriboga u ndalua posaçërisht tek Enciklika e Benediktit XVI ‘Caritas in Veritate’. Enciklika – nënvizoi prelati – promovon mirëqenien e kombeve, përmes zhvillimit e punës, me ndershmëri e përgjegjësi, në një mjedis ku mbretëron drejtësia e ligji, shtylla të paqes së vërtetë, që e dëshirojmë të gjithë.
Me rastin e dyqindvjetorit të pavarësisë, ipeshkvijtë e Ekuadorit botuan një dokument, përmes të cilit kërkojnë që politika të bazohet mbi moralin e mbi etikën. Duhet përballuar me optimizëm e ardhmja – shtojnë - duke pohuar gjithçka që bashkon e duke u larguar nga gjithçka që ndan. Demokracia – nënvizojnë ipeshkvijtë - duhet të ngrihet mbi shtyllat e së vërtetës, të drejtësisë, të lirisë, të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.