2009-08-11 17:15:05

Kardinali Arinze në Plenaren IX të ipeshkvijve të Azisë: “Eukaristia na impenjon në ndihmë të të varfërve”.


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Eukaristia dhe vëmendja për të varfërit, ishin në qendër të homelisë së kardinalit Frensis Arinze, i dërguar i Papës në Asamblenë Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore Aziatike, që u hap sot në Manila. “Ta jetosh Eukaristinë” është tema e Plenares, që do të vijojë deri më 16 gusht.
“Në atmoseferën e një zhvillimi të jashtëzakonshëm ekonomik e teknologjik, Azia e shikon popullin e vet të varfër e të vuajtur, të shtypur e të ndrydhur, pa strehë e nevojtar”: kështu i përshkroi kardinali Arinze kushtet në të cilat jeton Kisha në Kontinentin, që përfshin 60% të njerëzimit e që vijon të tronditet edhe nga fatkeqësi të rënda të natyrës. Eukaristia është pasuri shpirtërore e Kishës, është forcë që shndërron. Ta jetosh Eukaristinë do të thotë t’u çosh Krishtin të varfërve të Azisë. Eukaristia na impenjon në ndihmë të të varfërve. E lumja Nënë Tereza e Kalkutës dhe motrat e saj e jetuan e vijojnë ta jetojnë forcën shndërruese të Eukaristisë. E është pikërisht kjo forcë – theksoi i dërguari i Papës - që duhet të na nxisë të kërkojmë mënyra të reja për t’i ndihmuar të varfërit, që të shpëtojnë nga varfëria e ta jetojnë sa më denjësisht jetën e tyre. Zoti nuk do – pohoi kardinali Arinze, duke cituar ‘Gaudium et Spes - që disa t’i kenë të gjitha të mirat e kësaj bote, duke krijuar një oazë kënaqësish, ndërsa shumica jeton në shkretëtirën e mjerimit.
Kardinali vuri theksin edhe mbi domosdoshmërinë e bashkimit të ipeshkvijve me Papën, me njëri-tjetrin, me meshtarët, rregulltarët e laikët.
Kujtoi, më pas, edhe lidhjet me të tjerët, duke u nisur nga të krishterët, që nuk janë ende në bashkim të plotë me Kishën katolike e duke vijuar me besimtarët e feve të tjera. Lidhur me Eukaristinë, Hirësia e Tij theksoi se Kremtimi eukaristik nuk është shërbim ekumenik, por kremtim që përkon me bashkimin e plotë kishtar. Prandaj mundësia për t’i dhënë Kungimin një të krishteri, familja fetare e të cilit nuk është në bashkim të plotë me Kishën katolike, është e rrallë e në përputhje me dokumentet zyrtare të Kishës. Ndërsa kur është fjala për myslimanët, hinduistët, budistët ose besimtarë të tjerë, këshilloi të mos ftohen në kremtime, pa u dhënë shpjegimet e nevojshme. Theksoi me forcë edhe se ‘ungjillëzimi nuk është prozelitizëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.