2009-08-10 18:02:37

Çelësi i fjalëve të Kishës (emisioni i parë)


(10.08.2009 RV)RealAudioMP3 Fillojmë sot një cikël rubrikash, që do të na çojë nëpër fjalët e termat e Kishës Katolike, me qëllimin për t’i shpjeguar e për t’i bërë sa më të afrueshme për dëgjuesit. Kësaj here do të përvijojmë kuptimin e fjalës “Zot”. Kush është Zoti i të krishterëve?


Kisha në liturgjinë e saj ia drejton çdo lutje Hyjit Atë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Titulli Zot iu dha Jezusit që nga fillesa, sipas dëshmisë së Shën Palit Apostull, që kujton besojmën e parë të fesë së krishterë: “Jezusi është Zot”.
Njerëzit i janë drejtuar Zotit edhe para ardhjes së Jezu Krishtit. Aristoteli pohonte “Nëse ekziston diçka e përjetshme dhe e paluajtshme, e ndarë nga materia, është e qartë se njohja e saj ka të bëjë me një shkencë teorike që nuk është as fizikë, as matematikë, por një shkencë superiore teologjie… shkenca më e nderuar merret me qënien më të lartë”.
Në Besëlidhjen e Vjetër, tekst bazë për tri fe monoteiste (krishterimi, Islami dhe hebraizmi), nuk shpjegohet në të vërtetë se kush është Zoti, por tregohet prania e Hyjit në histori, veprimtaria dhe funksionet që ka. Tipari i parë që e karakterizon është “personaliteti”. Zoti biblik nuk është një mit, as qënie abstrakte apo një fakt i pakuptueshëm, nuk është as koncept metafizik e as metaforë. Ai paraqitet me emër: quhet Jahve në Besëlidhjen e Vjetër, ku përmendet 6.823 herë dhe Theòs, Zot e Atë në Besëlidhjen e Re. Ai e përcakton vetveten në Librin e Daljes, kur thotë: “Unë jam ai që jam”.
Që këtej rrjedh tipari i dytë i Zotit të Shkrimeve të Shenjta. Hyji është trashendent, pasi misteri i tij më i thellë është i pakapërcyeshëm (“Unë jam ai që jam”) dhe mund të njihet vetëm përmes zbulesës. E megjitatë ky Zot është i prekshëm përmes veprimtarisë së vet. Çlirimi i hebrenjve nga shtypja egjiptiane është prova e pranisë së Tij. Fakti që eksodi i hebrenjve nga Egjipti qe një akt çlirues, na bën të përvijojmë tiparin e tretë të Zotit.
Ai është një Hyj moral, që nuk qëndron indiferent para së keqes dhe dëshiron të vendosë drejtësinë. Veprat e tij kryesore kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të të varfërve e të viktimave të pafajshme. Por drejtësia e Tij është e ndryshme nga ajo e botës, do të thotë edhe falje, edhe shëlbim. Gjithnjë në Librin e Daljes lexojmë “Zoti, Zoti, Hyji i mëshirshëm dhe i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë, që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar asgjë; që e ndëshkon paudhësinë e etërve në fëmijë, madje në nipa – në të tretën e të katërtën brezni” (Dalja 34,6-7).
Përvijohet kështu tipari i katërt, që do të vihet në dukje në Besëlidhjen e Re, ku gjejmë përkufizimin “Zoti është dashuri” (1 Gjoni 4,8.16). Një dashuri e Zotit që shfaqet në lindjen e Birit përmes Shpirtit Shenjt; një dashuri që zbulohet në gjithësinë e në shëlbimin. “Vërtet, Zoti e deshi aq shumë botën sa të japë Birin e tij të vetëm” (Gjoni 3,16). Qëllimi i fundit i zbulesës dhe i veprës shëlbuese të Zotit është pra, ajo e mbledhjes së krejt njerëzimit dhe të gjithësisë së rinovuar në mbretërinë e vet, shpallur nga Krishti, që “Zoti të jetë gjithçka në të gjithë” (1 Korintasve 15,28).
 

 

 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.