2009-08-10 17:53:26

Shqipëri:  A/H1N1, 39 raste te reja


(10.08.2009 RV)Edhe pse nisi me simptoma të lehta dhe përhapje jo alarmante, gripi i derrit dyshohet të ketë prekur 39 persona, ndërkohë që dy pacientë të dyshuar janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Këtë e pohojnë mjekët e spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët thonë se në laboratorin e virologjisë po punohet për testin e imunofluoreshencës, që saktëson nëse të sëmurët janë prekur nga gripi i formës A. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë analizat dërgohen në laboratorin e Bukureshtit, për të saktësuar nëse kemi të bëjmë me virusin H1N1. Sipas mjekëve infeksionistë, të dyshuarit po trajtohen me të gjitha mjekimet e duhura, dhe vetëm dy prej pacientëve kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në Institutin e Shëndetit Publik pritet të mbërrijnë analizat përfundimtare nga laboratori i Bukureshtit për 13 raste e dyshuara rreth një javë më parë.
Kujtojmë se gripi i derrit ka shenjat e gripit stinor: temperaturë të lartë, dhimbje koke, dobësi, dhimbje fyti, kollë, diarre, dhimbje muskulare. Nuk njihen ende mirë komplikacionet e këtij gripi të ri, të padëgjuar deri pak kohë më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.