Turqi: kërcënohet një i krishterë, që shpërndante Biblën
(09.08.2009 RV)Një veprimtar i
krishterë u kërcënua, duke i vënë thikën në grykë, ndërsa shpërndante Bibla në rrugët
e Stambollit. Ngjarja, më e freskëta e një serie të gjatë shfaqjesh të intolerancës
fetare, ndodhi para syve të dhjetra kalimtarëve në lagjen Kadikoj, në bregdetin aziatik
të qytetit të madh turk. Agresori, Jasin Karasu, 24 vjeç, shitës cd-sh të vjedhura,
iu vërsul papritmas 34 vjeçarit Ismail Ajdini, ia mbuloi kokën me flamurin turk e,
më pas - sipas njoftimit të gazetës Haber Turk – ia vuri thikën në grykë, duke bërtitur
sa i hante zëri: “Këtu është Turqi, nuk mund të shpërndahen Bibla këtu, merr vesh!”.
E njëjta gazetë njofton se agresori u arrestua menjëherë nga policia. Kujtojmë
se në vitin 2006 meshtari italian don Andrea Santori, misionar në Turqi, u vra në
Kishën katolike të Trabzon-it. Një vit më pas, tre pastorë protestantë, një misionar
gjerman e dy turq të kthyer në fenë e krishterë, u mbytën mizorisht në Malatija.