Papët Vojtila e Racinger për Shën Benediktën e Kryqit
(09.08.2009 RV)Në audiencën e përgjithshme të 13 gushtit të kaluar, duke folur
për Shën Benediktën e Kryqit, që u përkujtua sot nga Kisha katolike, Papa u ndalua
tek dy dëshmi shenjtërie të epokës sonë: të Pajtores së Evropës e të Shën Maksimilian
Maria Kolbes: “Në dukje jetët tyre mund të konsiderohen një disfatë
e vërtetë, por pikërisht në martirizimin e tyre shkëlqen drita e dashurisë, që mund
errësirën e egoizmit e të urrejtjes. Njihen si të Maksimilian Kolbes fjalët e mëposhtme,
që ai i tha në kulmin e tërbimit të persekutimit nazist: “Urrejtja nuk është forcë
krijuese; krijuese është vetëm forca e dashurisë”’. E provë heroike e dashurisë ishte
dhurimi bujar i vetvetes për shpëtimin e shokut të burgut, të cilit i zuri vendin
në bunkerin e urisë, ku edhe do të vdiste më 14 gusht 1941”. Edit Shtain
– vijoi të kujtonte Papa – tri ditë para fundit të saj dramatik, duke biseduar me
disa simotra të Kuvendit të Ehtit, në Holandë, u pati thënë: “Jam gati për gjithçka.
Jezusi është edhe këtu, mes nesh. Deri tani kam mundur të lutem mrekullisht mirë e
të them me gjithë zemër: “Ave, Crux, spes unica” – “Të falem Kryq, e vetmja
shpresë”: “Dëshmitarët që munden të shpëtonin nga masakra e tmerrshme,
tregojnë se Tereza Benedikta e Kryqit, ndërsa ecte e vetëdijshme drejt vdekjes, veshur
zhgunin karmelitan, dallohej për qëndrimin e saj plot paqe, për qetësinë e për vëmendjen
ndaj të gjithëve. Lutja ishte e fshehta e Shenjtores Pajtore të Evropës së cilës,
edhe pasi iu kushtua plotësisht së vërtetës në paqen e jetës kundruese, iu desh ta
jetojë deri në fund të fundit misterin e Kryqit” (Letra Apostolike ‘Spes
ǽdificandi’; ‘Mësimet e Gjon Palit II’, XX, 2, 1999, fq. 511).