2009-08-09 12:49:43

Pakistan: ndërsa të krishterët martirizohen, bota hesht.


(09.08.2009 RV)RealAudioMP3 Ngjarjet e Korianit e të Gojrës, qytete pakistaneze të Penxhabit, ku javën e kaluar bashkësia e krishterë pësoi një sulm të tmerrshëm nga fanatikët islamikë, ishin në qendër të vëmendjes së opinionit publik gjatë gjithë javës së kaluar.
Në sa në një pjesë të mirë të botës së madhe njerëzit shijojnë prehjen e stinës së ngrohtë, në shumë vende të lindjes së afërt e të largët, nga Turqia e Bangladeshi, në Korian e në Gojra, të krishterëve u duhet të ruajnë kokën e vatrat nga sulmet e padrejta, të përditshme, me qëllime të errëta. E bota i shikon e hesht!
Një javë pas sulmit, në Korian e Gojra është rikthyer qetësia, por jo siguria. Mbretëron, prandaj, gjendja e alarmit. Policia vijon të pyesë 200 personat e arrestuar, që dyshohen si pjesëmarrës në sulmet kundër të krishterëve. Një organizatë vendase për të drejtat e njeriut denoncoi faktin se dhuna nuk ishte e rastit, por e paramenduar e se pas saj fshihet dora e Al-Kaedës. Ndërkaq Ministri i jashtëm italian, Franko Fratini, në një letër drejtuar presidencës suedeze të BE-së, e nxit Evropën të japë një sinjal të fortë kundër dhunës antikristiane, në Këshillin e ardhshëm të Ministrave, që do të mbahet në shtator. Sulmet kundër të krishterëve – thekson – po bëhen gjithnjë më të shumta në mbarë botën. Ka ardhur e ka kaluar koha t’u thuhet: “Mjaft!” BE-ja nuk mund t’i shikojë me indiferencë, nuk mund t’i mbyllë sytë”.
Por cila është arsyeja që në Pakistan të krishterët janë në shënjestër të këtij persekutimi kaq të egër? Përgjigjet imzot Lorenc Xhon Salkdanha, kryeipeshkëv i Lahores:

Përgjigje: - Duke pasur parasysh se islami është shpallur si feja e vetme, ne trajtohemi si qytetarë të kategorisë së dytë në vetë vendin tonë. Prandaj, herë pas here, bëhemi objekt i sulmeve nga ana e forcave ekstremiste. Shumë myslimanë janë të moderuar, për vetë natyrën e tyre, por ka edhe të tjerë, ekstremistë, që ngulin këmbë mbi faktin se islami duhet të sundojë gjithë shoqërinë, duke u bazuar mbi një ligj të vetëm: sharinë. Prandaj na sulmojnë. E prandaj kur e kur ia shkundin pluhurin ligjit mbi blafenminë dhe e zbatojnë mbi kokat tona, mbi shtëpitë tona, mbi kishat tona: ligj që përdoret në mënyrë krejt të paligjshme. Mjafton të thuhet se ndonjë nga ne ka bërë a ka thënë diçka kundër Kuranit, që populli të na sulet e të kryejë akte dhune.

Pyetje: - Domethënë të krishterët jetojnë me frikë në zemër e, ndoshta-ndoshta ekziston edhe ndonjë plan për ta zhdukur fare pakicën e krishterë nga vendi?

Përgjigje: - Jo, nuk e besoj! Mendoj se duan vetëm të na tregojnë se janë ata që komandojnë, ata që sundojnë, ata që mund të përdorin edhe forcën për t’i nënshtruar të krishterët. Nuk dua të besoj se mendojnë të na zhdukin…

Pyetje: - A shpresoni se do të ndërhyjë qeveria për t’i dhënë fund një situate të tillë?

Përgjigje: - Presim të ndërhyjë në mënyrë të rrufeshme e të kontrollojë edhe përdorimin e altoparlanteve. Në çdo fshat ka një altoparlant në maje të minaresë. E që aty jepen komandat për sulme kundër të krishterëve. Shpresoj se do t’i vënë nën kontroll këto mjete famëkëqija e, sidomos, ligjin mbi blafeminë. Është parë tashmë se ky ligj përdoret si mjet fare i paligjshëm, se nuk mbështet drejtësinë, por padrejtësinë. Madje ka raste kur, për interesa të veçanta, përdoret edhe kundër vetë myslimanëve. Prej këtij ligji, nga nisin pretekstet për sulme, kryesisht kundër të krishterëve, burojnë shumë vuajtje.







All the contents on this site are copyrighted ©.