2009-08-08 14:48:48

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(09.08.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e 19-të të Kohës së zakonshme gjatë viti kishtar. Përkujtoi edhe Shën Tereza Benediktën e Kryqit (Edit Shtain, virgjër e martire, Pajtore e Evropës).

Të hënën do të kremtohet Shën Lorenci, diakon e martir. Liturgjia e festës së tij na kujton se, që të mos mbetemi vetëm e të mos e humbasim kohën kot, duhet t’i shikojmë jetën e vdekjen me sytë e Shpirtit Shenjt, i cili na jep jetën e pasosur.

Zoti i do ata që janë të vegjël, në moshë e në shpirt. Prandaj pikërisht të vegjëlit i bën shenjë të mbretërisë së tij në botë. Të tillë ishin Shën Kjara e Asisit, themeluese e Klariseve, Shën Tiburci martir dhe Shën Suzana romake, festa liturgjike e të cilëve do të kremtohet të martën.

 
Marrëdhëniet ndërmjet nesh duhet të jenë gjithnjë miqësore, të bazohen mbi dëshirën për ta dëgjuar tjetrin, edhe atëherë kur na qorton për gabimet, nga të cilat nuk shpëton asnjeri nga ne. Na e kujtojnë këtë shenjtorët, që do të kremtohen të mërkurën: Gjovana Françeska di Shantal, rregulltare dhe i lumi Inoçenci XI papë.

Të enjten, Shenjtorët Ponciani, papë e Hipoliti, meshtarë e martirë dhe Shën Gjoni Berkmans, jezuit, në festën e tyre liturgjike na nxisin të meditojmë çdo ditë plot shpresë, se ‘Krishti është gjithnjë me ne!”.

Zoti e përtërin lidhjen ndërmjet burrit e gruas, posaçërisht kur ajo bëhet sakrament në martesën e bazuar mbi dashurinë dhe mbi besnikërinë, sepse dashuria e Atit qiellor për ne është e amshuar. Ky është reflektimi kryesor që buron nga liturgjia e së premtes, ditëfeste e Shenjtorëve Maksimilian Kolbe, meshtar françeskan e martir dhe e Shën Euzebit romak .

Shkëlqen Mbretëresha, o Zot, në të djathtën tënde – na shtyn të brohorasim njëzëri solemniteti i Të ngjiturit të Zojës së në qiell, të shtunën, kur do të kremtojmë Zojën e Madhe, atë që besoi në ardhjen e kohëve të reja.

E diela e ardhshme është e 20-ta e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.