2009-08-08 13:07:43

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Ku i hapim shtëpitë tona”


(08.09.2009 RV)Shfletojmë faqe të reja nga libri ‘Jeta ime’, përmes ciklit të emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes shqiptare. Emisioni i shtatë titullohet: ‘Ku i hapim shtëpitë tona”.
E Lumja na tregon:

"Një herë, një meshtar, i shtyrë nga qëllimet më të mira e edhe nga dashuria për Kongregatën tonë, më pyeti:
“Nënë, a nuk keni menduar ndonjëherë ta frenoni paksa përhapjen e institutit e t’i përqëndroni energjitë në fuqizimin e tij?
Iu përgjigja pa kurrfarë ngurrimi:
“Kemi vendosur të vijojmë ecjen në rrugët e pafundme të botës, duke u përhapur sa më shumë që të mundemi, kudo dëgjohet britma e varfërisë. Mendojmë, prandaj, të hapim shtëpi të reja. Na e kërkojnë këtë me këmbëngulje në Indi, por edhe në shumë vende të tjera. Na vijnë me qindra kërkesa nga të katër anët e botës. Ndërkaq Kongregata vijon të rritet. Hasim vështirësi vetëm kur është fjala për të gjetur eprore të përshtatshme. Por as kjo nuk na shqetëson: do t’i gjejë vetë Zoti!

 
Kur, në vitin 1971, hapëm shtëpinë tonë të parë në South Bronx, në SHBA, një meshtar vendas më pyeti me shaka:
“Si është e mundur që ju ra në mend të vini edhe këtu, në sa India vijon të ketë gjithë ato nevoja!”
I thashë:
“Erdhëm vetëm për të shërbyer!”.
“E si mendoni se mund të shërbeni?” – vijoi të më pyeste.
Ia ktheva:“Ndoshta mund të shërbejmë si urë ndërmjet atyre që kanë gjithçka, e atyre që nuk kanë asgjë”.
Një herë, një ambasador indian pranë qeverisë italiane, u tha të pranishmëve:
“Këto Motra kanë bërë për afrimin ndërmjet dy vende tona, shumë më tepër sesa kemi bërë ne me nismat tona diplomatike”.
I hapim shtëpitë tona, atje ku ka më shumë nevoja, më shumë varfëri, më shumë mjerim. E jo vetëm ekonomik.
Ky, pra, është kriteri themelor. E në se ju intereson ta dini ku shkojmë, unë do t’ju kujtoja:
“Shkojmë atje, ku ka më tepër nevojë. Në vende si ato të Amerikës Latine, ku ndjehet një mungesë e ankthshme për meshtarë e rregulltarë, që vihen në shërbim të njerëzve, posaçërisht të më të varfërve.
Shkojmë ku ka më shumë mundësi shpirtërore, ku ka më shumë punë, ku njerëzit duken më të përgatitur për t’i pranuar mësimin e fesë e sakramentet.
Shkojmë atje ku parashikojmë se të tjerët mund të përfitojnë nga puna jonë.
Shkojmë, ku është më e nevojshme prania e Kishës, ku ajo mungon ose ku ndikimi i saj ndjehet tepër pak.
Shkojmë ku ka shpresa për thirrje të reja, ku ka vajza e djem, që janë gati të flijohen për lumni të Zotit, në mënyrë që pastaj të mund ta shtrijmë veprën tonë edhe në zona të tjera, ku Krishti nuk njihet fare, ose njihet tepër pak..
E hapim shtëpi edhe si shenjë mirënjohjeje, për ndihmën që na japin vende e zona të ndryshme të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.