2009-08-07 18:49:09

Papa në Mesazhin për mbledhjen e lëmoshëve në Argjentinë: Të kufizohet shkandulli i varfërisë dhe i pabarazisë shoqërore.


(07.08.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI i fton të gjithë argjentinasit të marrin pjesë në edicionin e 40-të të mbledhjes së lëmoshëve “Más Menos”, që sivjet do të organizohet në vendin latinoamerikan më 13 shtatorin e ardhshëm, me temë: “ Më shumë solidaritet, që të ketë sa më pak të përjashtuar”.
Papa, pra, e inkurajon këtë vepër solidariteti dhe uron të japë ndihmesën për kufizimin e shkandullit të varfërisë e të pabarazisë shoqërore, duke përmbushur kështu kërkesat ungjillore, që i nxisin të gjithë besimtarët të përpiqen për të ndërtuar një shoqëri sa më të drejtë e më solidare.
Në mesazhin, që u bë i njohur nga nunci apostolik në Argjentinë, imzot Adriano Bernardini, Papa u shpreh mirënjohjen e tij të thellë të gjithë atyre, që do të japin ndihmesën për realizimin me sukses të fushatës së re, të cilën e vë nën mbrojtjen e Zojës së Lujanit, Pajtore e Argjentinës.
E pikërisht sot në Buenos Ajres u kremtua festa e Pajtorit, Shën Gajtanit të Tienës, në ditën e përkujtimit të tij liturgjik. Mijëra besimtarët, nga mbarë vendi, që morën pjesë në festë, iu lutën Shenjtit themelues të teatinëve, të ndërmjetësojë pranë Zotit, që t’u japë ‘drejtësi, bukë e punë’ e t’i ndihmojë të ndërtojnë ‘Atdheun e vëllezërve”.
Sivjet, me porosi të Kishës vendase, besimtarët nuk sollën qirinj e lule, por veshje, ushqime e ilaçe për më të varfërit, duke kujtuar kështu konkretisht mësimet e Shën Gajtanit i cili, më se 500 vjet më parë, shkriu gjithë jetën në ndihmë të të varfërve, të jetimëve e të të sëmurëve të pashërueshëm. Nderohet, prandaj, si shenjti i Provanisë hyjnore.
E Papa Benedikti XVI, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, duke folur për festën e Gajtanit nga Tienë, që u kremtua sot, kujtoi frazën e famshme të Shenjtit: “Shpirtrat nuk pastrohen me dashuri sentimentale, por me dashurinë e fakteve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.