2009-08-07 18:48:51

Martirë të rinj. Papa: dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fuqishme se urrejtja.


(07.08.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha kujtoi Sikstin II, papë, e shokët e tij, martirë. Ky përkujtim liturgjik na nxit të meditojmë se edhe në Mijëvjeçarin e tretë, shumë të krishterë vijojnë të persekutohen e të diskriminohen.
Sikstit, vetëm një muaj pas zgjedhjes në fronin e papnisë, iu pre koka së bashku me gjashtë diakonët e Varrezës së Shën Kalistit: ishte viti i largët 258. Një edikt i perandorit Valeriani i ndalonte të gjithë nënshtetasit të flisnin në emër të Krishtit. Po Papës Siksti i pëlqeu më shumë t’i bindej Zotit, sesa njerëzve. Kështu e pagoi me jetë dashurinë e tij për Jezusin.
Kanë kaluar dymijë vjet pas mishërimit të Zotit, ngjarje që ia ndryshoi rrjedhën historisë. Bota ka ecur përpara por, megjithatë, të krishterët mbeten bashkësia më e persektuar në gjirin e njerëzimit. Benedikti XVI flet për misionarë, ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë të persektuar, të burgosur, të torturuar, pa liri e pa të drejta, të mbytur në sa kryejnë misionin e tyre në shërbim të ungjillëzimit e të përparimit njerëzor, vetëm pse janë dishepuj të Krishtit e apostuj të Ungjillit. Na fton, prandaj, të lutemi që të krishterëve të persekutuar – rreth 200 milionë – t’u njihen të drejtat njerëzore, barazia e liria fetare. Njëkohësisht i shikon martirët e kohëve tona në dritën e shpresës:
Misionarët martirë – pohon Papa:
"Janë  shpresë për botën’ ; dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja. Nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit. Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit" (Lutja e Engjëllit të Tënzot e 25 marist 2007).
Dashuria për armikun – pohon Benedikti XVI – përbën thelbin e revolucionit të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.