2009-08-06 18:24:28

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: “Burimet tona financiare”.


(06.08.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’, përmes ciklit të emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes, në emisionin tonë të pestë po ndalemi tek një nga temat më interesante që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Kongregatës së Motrave të Bamirësisë, themeluar nga Nënë Tereza: tek burimet financiare, për të cilat po flitet aq shumë sidomos sot, kur mbarë bota është në krizë e kur fjala para është në rend të ditës. Nga i vijnë Kongregatës me shtrirje në mbarë botën, në vende të pasura, por më shumë në më të varfërat, të ardhurat, pa të cilat nuk mund të mbahet në këmbë? A u shqetësua ndonjëherë Nënë Tereza për paratë? E a shqetësohet Kongregata e saj sot, kur mbarë bota është tejet e shqetësuar?
Të dëgjojmë të Lumen, e cila sot na flet pikërisht për “burimet e financimeve”:

"Ne, Misionaret e Bamirësisë, marrim mbi vete përgjegjësinë e përdorimit të çdo dhurate, që na bëhet, sipas ndjetit të dhuruesit, domethënë, në ndihmë të të varfërve më të varfër, të cilëve u shërbejmë. Sepse çdo gjë që marrim, për ta e kemi.
Nuk mund ta dëmtojmë dhuratën e bukur, që na ka bërë Zoti, të varfërit më të varfër, përmes të cilëve i shërbejmë Atij me dashuri e përkushtim të madh.

 
Gjëja e fundit për të cilën shqetësohemi, janë paratë.
Arrijnë gjithnjë në kohën e duhur. Na i jep vetë Zoti.
Ne bëjmë punën e tij. E ai mendon për mjetet që na duhen për ta kryer këtë punë.
Në se nuk mendon, domethënë se nuk e do një punë të tillë.
Atëherë pse duhet të shqetësohemi?
Një ditë, drejtuesi i një sipërmarrjeje të madhe industriale erdhi tek ne për të na dhuruar disa troje në Bombei.
E, para se të fliste për dhurimin, gjëja e parë që më pyeti, ishte:
“Nënë, mbi ç’financime e mbështesni punën tuaj?”.
Unë iu përgjigja pyetjes së tij me një pyetje tjetër:
“Kush ju dërgoi këtu?”.
“Nuk e di! Ndjeva një lloj nevoje shpirtërore…” - shpjegoi.E unë: "Bukuri, edhe njerëz të tjerë, kështu si ju, vijnë të na takojnë e na thonë të njëjtën gjë.
Ja, pra, cili është burimi i financimit tonë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.