Pali VI, bari i butë e i vendosur në dashurinë për të vërtetën: Benediktit XVI kujton
Papën Montini, në 31-vjetorin e vdekjes.
(06.08.2009 RV)Tridhjetë e një
vjet më parë vdiste Papa Montini: ishte mbrëmja e 6 gushtit 1978, Festa e Shndërrimit
të Zotit. Me këtë rast sot pasdite, në orën 17, në Elterin e Katedrës të Bazilikës
së Shën Pjetrit në Vatikan, u kremtua një liturgji solemne, kryesuar nga kardinali
Anxhelo Komastri, vikar i përgjithshëm i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit. Dëshmitar
i përvujtë i Ungjillit, Pali VI e çoi deri në fund Koncilin II të Vatikanit dhe e
udhëhoqi Kishën me urti e largpamje, duke marrë, i dashuruar siç ishte me të vërtetën,
vendime që ia zbehën popullaritetin. Benedikti XVI, duke folur disa herë për paraardhësin
e tij të dashur, e ka përshkruar kështu: “Një bari i butë e i vendosur, që drejtoi
barkën e Pjetrit në vite të stuhishme, duke i mbajtur sytë të mbërthyer fort mbi Jezusin”. Për
Benediktin XVI Pali VI është Papë e i paharrueshëm, me të cilin – pohon – e lidh një
dashuri e thellë. Ishte pikërisht Pali VI ai që e emëroi kryeipeshkëv të Bavarisë
dhe e krijoi kardinal. Por, cila ishte fshehta e veprimtarisë baritore të Palit
VI, që përshkoi gjithë papninë e tij? “Dashuria e Krishtit – përgjigjet Benedikti
XVI gjatë audiencës me Institutin Pali VI, më 3 mars 2007: “Në të vërtetë,
e fshehta e veprimtarisë baritore që zhvilloi Pali VI, me përkushtim të palodhshëm,
duke marrë nganjëherë vendime të vështira, që nuk gëzuan popullaritet, qëndron pikërisht
tek dashuria për Krishtin: dashuri që përshkon, me tone prekëse, gjithë mësimin e
tij. Shpirti i tij prej bariu ishte i pushtuar i tëri nga tensioni misionar, i ushqyer
nga një dëshirë e sinqertë për të dialoguar me njerëzimin. Ftesa e tij profetike,
e propozuar disa herë, për ta përtërirë botën e trazuar nga shqetësimet e dhuna përmes
ndërtimit të qytetërimit të dashurisë, lindte nga lëshimi i tij i plotë në dorë të
Jezusit, Shëlbuesit të njeriut”. Njeri i paqes, i impenjuar me guxim në
dialogun ekumenik, Pali VI hapi udhën e shtegtimeve apostolike ndërkombëtare. Por
mbi të gjitha, mbeti në kujtesën e njerëzimit si Papa, që çoi deri në fund Koncilin
II të Vatikanit e që i priu Kishës në vitet e vështira të pas Koncilit. Meritë ‘gati
mbinjerëzore’ kjo, pohon Benedikti XVI, që vlerësohet gjithnjë më shumë, në sa shikimi
ynë mbi të kaluarën zgjërohet e bëhet përherë më i vetëdijshëm: “Në se Gjoni
XXIII e shpalli dhe e hapi, i takoi atij, pasardhësit, ta çojë deri në fund me dorë
të mësuar, delikate e të vendour. E nuk qe aspak më e lehtë për Papën Montini ta drejtonte
Kishën në periudhën pas-koncilare. Nuk ia lejoi vetes të prekej nga keqkuptimet e
kritikat, edhe pse iu desh të duronte vuajtje e sulme, nganjëherë tejet të fuqishme,
por në çdo rrethanë mbeti timonier i vendosur e i urtë i barkës së Pjetrit”. Nga
magjisteri i Palit VI kujtojmë disa gurë kilometrikë, si Enciklika Humanae Vitae
e Populorum Progressio. E para pohon se liria duhet të shkojë krah për krah
me të vërtetën, kur është fjala për të mbrojtur dhuratën e paçmueshme të jetës njerëzore.
Në 40 –vjetorin e botimit të këtij dokumenti, më 2008, Benedikti XVI kujtoi rrethanat
e vështira, në të cilat Papa Montini vendosi t’i kushtonte një enciklikë përgjegjësisë
në dashurinë bashkëshortore: “Ky dokument u bë shumë shpejt shenjë kundërshtie.
I hartuar në dritën e një vendimi të marrë jo pa vështirësi, Enciklika mbetet gjest
domethënës guximi, në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës
së Kishës. Ky tekst, shpesh herë i keqkuptuar e i vënë në dyshim, shkaktoi diskutime
të shumta, edhe pse qe në zanafillën e një kundërshtimi të thellë, që shënoi jetën
e breznive të tëra” (10 maj 2008). Profetike edhe enciklika ‘Populorum
Progressio’ e 1967-tës, përmes së cilës Pali VI nënvizon se emri i ri i paqes,
është zhvillim. Por zhvillimi, pa Zotin, vëren Papa Montini, është zhvillim të cilit
i mungon edhe dashuria për njeriun: “Në këtë tekst, të cituar shumë herë
në dokumentet e mëpasme, ky Papë i madh thekson me forcë se zhvillimi nuk kufizohet
thjeshtë në rritjen ekonomike. Për të qenë zhvillim i vërtetë, duhet të jetë i gjithanshëm,
gjë që do të thotë zhvillim i të gjithë njerëzve e i gjithë njeriut”.