Kisha kremton me 6 gusht festën e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor.
(06.08.2009 RV)Transfigurimi apo Shndërrimi i Krishtit është ndër fetat teologjikisht
më të pasura, dëfton fytyrën e Jezu Krishtit Zot, Birit të dashur të Atit dhe cakun
drejt të cilin dishepujt dhe ne të gjithë njerëzit jemi të thirrur të shkojmë, duke
zbuluar e pranuar të vërtetën e Krishtit e të mbarë njerëzimit, siç tregon Shën Marku:
“Gjashtë ditë pas, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi vetëm
ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre” (Mk 9,2). Në këtë dritë,
mund ta kremtojmë Shndërrimin si festë në të cilën Kisha e shpall vizionin e vet të
njerëzimit integral. Të kundrosh bukurinë e Krishtit të shndërruar do të thotë që
dishepulli e çdo besimtar të dëshirojnë që e tërë bota të mbështjellët nga drita shndërruese
e të jetojë sipas kësaj dëshire e synimi të shenjtë. Pra, Liturgjia e sotme na
fton ta ndjekim Krishtin mbi Tabor, mbi malin e heshtjes e të kundrimit, përvojë të
cilën Kisha ua këshillon të gjithë besimtarëve, në forma të ndryshme, që u përshtaten
thirrjeve e kushteve të posaçme të jetesës, në mënyrë që bashkësitë e krishtera të
bëhen shkolla të vërteta lutjeje, ku të na ngadhënjejë në shpirt misteri i dritës
dhe i dashurisë së Hyjit. Duke kundruar Taborin, kuptojmë më mirë se rruga
e kryqit dhe ajo e lavdisë janë të pandara: duke pranuar deri në fund të fundit planin
e Atit, në të cilin qe shkruar se Jezusit do t' i duhej të vuante për të hyrë në lavdinë
e tij, Krishti provon që në këtë jetë dritën e ringjalljes. Edhe ne, duke
mbartur çdo ditë me fe plot dashuri Kryqin, provojmë, njëherësh me peshën e rëndë,
edhe forcën e risimit e të ngushëllimit. Me Jezusin e marrim atë dritë të brendshme,
posaçërisht ndërsa lutemi. Kur zemra është pushtuar nga Krishti, jeta ndryshon. Rrugët
më fisnike e, posaçërisht, ato më ngulmueset, janë fryt i bashkimit të thellë e të
vazhdueshëm me Hyjin në heshtjen e uratës. Kujtojmë se shndërrimi i Jezusit
mbi malin Tabor është i katërti në misteret e dritës, shtuar mistereve tradicionale
të Rruzares shenjte nga Papa Gjon Pali II në vitin kushtuar pikërisht Rruzares. Misteret
e dritës janë: Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga qielli thotë: "Ja, biri im,
të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit të Birit të Hyjit; pastaj
mrekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit dhe e shenjtërimit të
të gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar nga Biri i Hyjit;
misteri i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shëmbëlltyra e shenja shëlbuese.
I katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi, i pesti, themelimi
i Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si Sakrament që përmbledh në vetvete të gjitha
sakramentet e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin e njerëzimit.