2009-08-05 17:10:52

Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Famullitarit të Arsit: “Meshtarë të dashuruar me Krishtin, për t’iu përgjigjur sfidave të relativizmit, që e lëndon arsyen”.


(05.08.2009 RV)RealAudioMP3 “Ta lusim Zotin t’i dhurojë Kishës meshtarë të shenjtë, të dashuruar me Krishtin, lajmëtarë të paqes për të gjithë”: këtë theksoi sot paradite Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Kastel Gandolfo, kushtuar Shën Gjon Maria Vianejt, festën liturgjike të të cilit e kremtoi dje Kisha katolike. Gjatë katekizmit, Papa nënvizoi se racionalizmi e relativizmi janë dy përgjigje të papërshtatshme, që nuk mund ta shuajnë etjen e ligjshme të njeriut për ta përdorur plotësisht arsyen në kërkim të së vërtetës së jetës. Së fundi, u drejtoi një përshëndetje të përzemërt pjesëmarrësve në Mitingun ndërkombëtar të të rinjve, drejt Asizit.

Në katekizmin e sotëm Papa përmblodhi shkurtimisht jetëshkrimin e Famullitarit Shenjt të Arsit, në 150-vjetorin e vdekjes a, më mirë, të lindjes për qiell – siç u shpreh vetë Ati i Shenjtë – i cili përfytyroi ‘festën e madhe’ që duhet të jetë organizuar në Parajsë, kur atje hyri një Bari kaq i zellshëm! E pikërisht me rastin e këtij përvjetori u shpall edhe Viti Meshtarak me temë: “Besnikëria e Krishtit, besnikëri e meshtarit”. Benedikti XVI kujtoi se Shenjti u lind në gjirin e një familjeje të varfër fshatare. Iu desh, prandaj, që në moshë të njomë, të merrej me punë të rënda bujqësore e të kulloste bagëtitë, duke u përpjekur gjithnjë të bënte vullnetin e Zotit, edhe në punët më të përvujta. 18 vjeç nuk kishte mësuar ende shkrim as këndim. E megjithatë, dëshira më e madhe e jetës së tij ishte të bëhej meshtar. Dëshirë që haste një pengesë në dukje të pakapërcyeshme: ai nuk kishte lindur për shkollë, nuk e kishte të lehtë të studionte. Aq më pak, t’i mbante mend mijëra fjalët e librave, të cilët nisi t’i shfletonte me duart e regjura nga puna e rëndë. Dinte përmendësh vetëm lutjet që i kishte mësuar e ëma. Shumë dështime e lotë e shoqëruan çdo hap të rrugës së tij drejt elterit:
“Arriti, më në fund tek Shugurimi meshtarak, pas një mori ngatërresash e keqkuptimesh, falë ndihmës që i dhanë meshtarë të urtë, të cilët nuk u ndaluan tek kufizimet e tij njerëzore por, përtej tyre, ditën të shikonin horizontin e shenjtërisë, që përvijohej në shpirtin e këtij të riu vërtet të jashtëzakonshëm”.
Në veprimtarinë baritore – tha Papa – ky famullitar i panjohur i një fshati të humbur të Francës jugore, sa i thjeshtë, aq i suksesshëm, ia doli mbanësh ta kryente shërbimin e tij meshtarak me një zell të tillë, sa të bëhej një me Krishtin, Bariun e Mirë, duke dhënë jetën për delet e veta:
“Jeta e tij, katekizëm i gjallë, fitonte vlerë të posaçme, kur njerëzit e shikonin duke kremtuar Meshën, duke adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament para Tabernakullit ose duke kaluar orë e orë në rrëfyestore… Në praktikën e sakramentit të pendesës shikonte përmbushjen logjike e të natyrshme të apostullimit meshtarak”.
Metodat baritore të Shën Gjon Vianejt – shtoi Papa – mund të duken të papërshtatshme për kushtet e shoqërore e kulturore aktuale:
“Si mund t’i përngjajë një meshtar i sotëm, në një botë e cila ka ndryshuar aq shumë? Por në se është e vërtetë se kohët ndryshojnë e shumë nga dhuratat e Shpirtit Shenjt janë tipike për njerëz të veçantë, nuk duhet harruar dhe se ka një stil jete e një dëshirë të zjarrtë, të cilën duhet ta kultivojnë të gjithë. Po ta shikojmë mirë, famullitari i Arsit u bë shenjt sepse ishte i dashuruar me Krishtin. E fshehta e vërtetë e suksesit të tij baritor ishte pikërisht dashuria që ushqente për misterin eukaristik të kumtuar, të kremtuar e të jetuar, që në shpirtin e tij u bë dashuri për delet e Krishtit, për njerëzit, që kërkojnë Zotin”.
Famullitari i Arsit diti të shuante etjen për të vërtetën, që kishte njeriu i kohës së tij: kohë e vështirë, periudhë e Francës pas-revolucionare – vijoi të kujtonte Papa – që provonte një lloj diktature të racionalizmit, e cila kishte për qëllim ta shlyente praninë e meshtarëve e të vetë Kishës në shoqëri. Në këto rrethana, Shën Gjon Maria Vianej i jetoi vitet e rinisë në kushte heroike klandestine, duke përshkuar kilometra e kilometra, në errësirën e natës, për të marrë pjesë në Meshën Shenjte. Më pas, si meshtar, dëshmoi me jetën e vet se racionalizmi, asokohe sundues, ishte i paaftë për t’i plotësuar kërkesat shpirtërore të njeriut e, prej këndej, nuk do të kishte jetë të gjatë.
Në se 150-vjet më parë sundonte diktatura e racionalizmit, në kohën tonë – tha Papa – në shumë mjedise vërehet një lloj diktature e relativizmit. Që të dyja – vijoi Ati i Shenjtë – duken si përgjigje të papërshtatshme ndaj kërkesës së njeriut për ta përdorur plotësisht arsyen, si element dallues e përbërës të identitetit të tij. Racionalizmi ishte i papërshtatshëm, sepse nuk i pati fare parasysh kufizimet njerëzore e pretendoi ta lartonte vetëm arsyen mbi të gjitha sendet, duke e shndërruar në ide; relativizmi i sotëm, që arrin deri atje, sa të pohojë se njeriu nuk mund ta njohë asgjë me siguri, përtej fushës së shkencave pozitive, e lëndon arsyen. Por edhe sot, si atëherë – shpjegoi Papa – njeriu shkon duke lypur përgjigje për pyetjet, që nuk pushon së bëri në rrjedhë motesh. Kështu, pavarësisht nga ndryshimi kohëve, për Benediktin XVI stili i famullitarit të Arsit e ruan gjithnjë të paprekur forcën e tij profetike e vijon të jetë mësim i çmuar për meshtarët e për ne të gjithë:
“Meshtarët, duke i përngjarë atij, duhet të kultivojnë e të rrisin ditë për ditë bashkimin vetjak me Krishtin e t’ua mësojnë të gjithëve këtë bashkim, këtë miqësi të ngushtë me Krishtin. Vetëm të dashuruarit me Krishtin mund t’i prekin zemrat e njerëzve e t’i bëjnë të hapen, për të pranur dashurinë e mëshirshme të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.