2009-08-05 16:45:26

Në Tiranë, i nxehti dhe helmimet mbushin pediatrinë


(5.08.2009 RV)RealAudioMP3 Reparti i pediatrisë së Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë nuk ka më asnjë vend të lirë e mesatarja e personave që shkojnë në urgjencë ka qenë 250 në ditë. Fëmijët paraqiten me viruse, që shkaktojnë të vjella e diarre, me helmime nga ushqimet e me vështirësi në frymëmarrje.
Fatkeqësisht, kjo lloj epidemie që godet Tiranën gjatë verës nuk është e re e përsëritet çdo vit. Një javë më parë temperatura arriti ne 40° e vetëm sot parashikohet një ndryshim i klimës. Analizat e fundit të ujit tregojnë se ai është i ndotur me baktere fekale, por edhe ruajtja e keqe e ushqimeve në pikat e shitjes nuk e ndihmon gjendjen. Një inspektim i Ministrisë së Shëndetësisë ndër shitësit e akulloreve në qendër të kryeqytetit konfirmoi praninë e baktereve në përqindje të lartë. Natyrisht, të parët sëmuren fëmijët, konsumatorët kryesorë të akulloreve. Inspektime janë bërë edhe në pishinat e Tiranës e Ministria ka lajmëruar se do t’i mbyllë ato që nuk janë në rregull me sistemin e filtrimit dhe të pastrimit të ujit.
Por nuk përfundon këtu. Tirana është kryeqyteti më i ndotur në Evropë. Përqindja e pluhurit toksik në ajër është shumë e lartë, me pasoja sidomos për fëmijët e të moshuarit. Shqetësuese, edhe lajmet mbi gripin e derrit. Deri tani janë sinjalizuar 250 raste, por vetëm për 11 vetë është konfirmuar prania e virusit. Gjithsesi, pritet përgjigjia e laboratoreve të Bukureshtit, e cila, nëse është pozitive, do të rrisë në 19 numrin e të infektuarve. Mungesa e mjeteve diagnostikuese, pas 20 vjetësh demokraci, bën që në spitalin e Tiranës të kryhen vetëm 5 analiza në ditë e gjithsesi, konfirmimi përfundimtar të pritet nga Rumania.







All the contents on this site are copyrighted ©.