(05.08.2009 RV)Nuk ndalet tragjedia
e emigracionit të parregullt në Mesdhe. Vetëm gjatë muajit korrik, sipas të dhënave
të Observatorit mbi emigracionin “Fortress Europe”, 14 vetë kanë gjetur vdekjen në
det. Tre vetë janë vrarë ndërkaq nga policia egjiptiane në kufi me Izraelin. Rreth
dhjetë emigrantë kanë humbur jetën në Greqi, Turqi e Spanjë. Cila është gjendja, në
një kohë kur Evropa po i mbyll gjithnjë e më tepër dyert për emigrantët e po ua bën
jetën gjithnjë e më të vështirë klandestinëve? Të dëgjojmë themeluesin e organizatës
“Fortress Europe”, italianin Gabriele Del Grande: Duhet të shohim krejt
zonën e Mesdheut. Në Itali, numri i të ardhurve nga deti është ulur, por fenomeni
nuk është bllokuar. Kalimi i Mesdheut bëhet në drejtim të Spanjës për shembull, nga
Turqia drejt Greqisë e Bullgarisë për të shkuar drejt Evropës Perëndimore. Shumë
vetë hyjnë në Evropë nga toka. Edhe Izraeli është bërë një pikë arritjeje sidomos
për sudanezët, të cilët kalojnë nëpër Egjipt e mbërrijnë në Izrael, ku kërkojnë strehim
politik. Është folur shpesh për të bërë dallime ndërmjet emigrantëve të mirëfilltë
ekonomikë dhe atyre që kanë të drejtën e strehimit politik. Ç’mund të bëjë Evropa? Para
së gjithash, të respektojë të drejtën e strehimit dhe konventat ndërkombëtare. Duhet
të kemi parasysh se, në emër të luftës kundër emigracionit klandestin, ne po i kthejmë
të gjithë në Libi. Këta persona i kthejmë pa i identifikuar, pa parë nëse ka ndonjë
refugjat ndërmjet tyre, i çojmë në burg, aty ku njerëzit mbahen për një kohë të pacaktuar.
Por të mos harrojmë se për ata që kërkojnë strehim politik ka detyrime ndërkombëtare,
konventa që Italia dhe vendet e tjera evropiane i kanë nënshkruar, por nuk i respektojnë. Ç’mund
të thoni për emigrantët që kërkojnë punë në vende të tjera e nuk janë refugjatë politikë? Edhe
njerëzit që vijnë për të kërkuar punë, në të vërtetë nuk janë të dëshpëruar. Të dëshpëruarit
e vërtetë mbeten në vendin e tyre, pasi udhëtimi për të ardhur në Evropë kushton shumë.
Emigrantët që nisen janë persona për të cilët Evropa ka nevojë. Ekziston një nevojë
reale për krahë të huaj pune, por nuk ekziston mekanizmi kërkesë-ofertë. Fenomeni
i zbarkimeve të emigrantëve është pasojë e mosfunksionimit të atij mekanizmi.