2009-08-05 17:11:03

Bazilika romake e Shën Marisë së Madhe rijetoi ‘mrekullinë e dëborës’


(05.08.2009 RV)RealAudioMP3 Dy vjet më parë, në Engjëllin e Tënzot, Benedikti XVI i lartonte lutjen e tij Virgjërës Mari, në festën e Zojës së Dëborës, që na kujton kohën e largët, kur nisi ndërtimi i bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, një nga kishat më të vjetra e më të mëdha në botë kushtuar Nënës së Zotit:
“Virgjëra, e cila më shumë se çdo krijesë tjetër mori pjesë në misterin e Krishtit, na ndihmoftë në shtegtimin tonë të fesë me qëllim që, siç na fton të lutemi liturgjia e sotme - duke u përpjekur me të gjitha forcat ta nënshtrojmë tokën, të mos lejojmë të sundohemi nga lakmia dhe egoizmi, por të kërkojmë gjithnjë atë që vlen para syve të Zotit”.
Ndërsa sot, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa e kujtoi festën e Zonjës së Borës në përshëndetjen drejtuar posaçërisht të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve:
“Sot, në kujtimin liturgjik të Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, liturgjia na fton t’i sjellim sytë nga Maria, Nëna e Krishtit. Shikojeni gjithnjë atë, të dashur të rinj, duke u munduar t’i përngjani në ndjekjen besnike të vullnetit hyjnor;
drejtojuni Asaj me besim, të dashur të sëmurë, për të provuar, në çastin e provës, frytin e mbrojtjes së saj;
besojani Zojës, të dashur bashkëshortë të rinj, familjen tuaj, që të jetë gjithnjë e mbrojtur me ndërmjetësimin e saj amtar”.

E sot, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe u kremtuan Mesha pontifikale dhe lutjet e dyta mbrëmësore të solemnitetit, kryesuar nga kardinali Bernard Frensis Loo, kryeprift i bazilikës, pasuar nga kremtimet e mbylljes. Si çdo vit besimtarët, mbledhur me shumicë në të tre kremtimet, rijetuan ‘mrekullinë e dëborës’, që të rikujton dukjen e Zojës së Bekuar në Eskuilin, në vitin e largët 358…
Gojëdhëna tregon se natën e 5 gushtit të vitit 358, Zoja e Bekuar iu duk njëherësh Papës Liberi e patricit romak, Gjonit dhe i ftoi t’i ndërtonin një kishë në atë vend, ku do të binte dëborë atë natë të nxehtë romake. E dëbora ra. Të nesërmen, në prani të një turme romakësh, Papa ravijëzoi në dëborë perimetrin e asaj kishe, që do të bëhej bazilika e parë e ndërtuar në këtë vend e që u quajt Shën Maria e Dëborës.
Çdo 5 gusht në bazilikë kremtohet festa e Shën Marisë së Dëborës. E në të njëjtën ditë, edhe shugurimi i saj. Gjatë të dy kremtimeve, sipas traditës, mbi besimtarët reshet nga lart një shi me petale të bardha trëndafilash, në kujtim të flokëve të dëborës, që ranë mrekullisht natën e largët të vitit 358.
Natyrisht Bazilika aktuale, që njihet si e Shën Marisë së Madhe, është rindërtuar disa herë gjatë shekujve, përmbi themelet e lashta, shënuar së pari mbi dëborë.







All the contents on this site are copyrighted ©.