2009-08-04 17:15:32

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: “Ju jeni engjëj”.


(04.08.2009 RV)RealAudioMP3 Po vijojmë shfletimin e librit ‘Jeta ime’, përmes ciklit të emisioneve radiofonike ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes Gonxhe Bojaxhiut.
“Ju jeni engjëj”, titullohet emisioni ynë i tretë, që na nxit t’i bëjmë vetes një mori pyetjesh, tejet të rëndësishme për jetën tonë shpirtërore: “Si duhet të jetojmë, për t’u ngjarë shenjtorëve? Të nisemi në rrugët e vështira të misionit? Të shkojmë e të mbledhim njerëzit e flakur në hendeqet e Kalkutës? Të kryejmë vepra të jashtëzakonshme, duke ia ndryshuar faqen historisë së njerëzimit? Të zbulojmë shtigje të reja në misteret e shkencave a të krijojmë rryma të reja në ato të arteve, duke mbetur në kujtesën e kohës si bamirës të njerëzimit? Por, a jemi në gjendje të bëjmë gjëra kaq të mëdha? Atëherë duhet thënë se jemi të përjashtuar nga udha e shenjtërisë?
Përgjigjen e këtyre pyetjeve na jep vetë Nënë Tereza, që tregon:
 
"Rishtaret kundruese të Nju Jorkut vishen krejt me të bardha.
Gjatë misionit që kryejnë ditë për ditë nëpër sheshe e nëpër parqe, ku shkojnë dy nga dy e u flasin të varfërve për Jezusin, një ditë hasën një burrë të bërë tapë.
Menduan se ishte një rast i mirë e i thanë njëra-tjetrës: “Ja, këtij mund t’i drejtojmë fjalën e Zotit”.
Por ai, sa i pa se po afrohehsin, u bërtiti me sa zë që kishte:
“Larg meje! Ikni! Unë nuk jam gati!”.
Dy motrat vijuan t’i afroheshin e i thanë:
“Jemi murgesha, prandaj nuk duhet të kesh frikë nga ne”.
Ai nguli këmbë:
“Jo, jo! Ju jeni dy engjëj, që keni zbritur nga qielli. Zoti dëshiron të më marrë përdore. Nuk jam ende gati! Nuk jam!”.
Po unë besoj se ishte; e dëshmon fakti se disa ditë më pas u kthye tek ne e u rrëfye.

 
‘Engjëjt e bardhë’, kur i shtojnë sarit vijat blu, hyjnë në njërën nga dy degët e Kongregatës sonë: bëhen aktive ose kundruese.
Dy degë, por një Kongregatë e vetme rregulltare, me mundësinë për të kaluar nga njëra degë tek tjetra e anasjelltas.
Përsa më përket mua, vijon të më tërheqë më shumë jeta kundruese, që më krijon mundësinë të rri me Jezusin e të mos mendoj asgjë tjetër, veç Tij.
Nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të bashkohem me motrat kundruese, për t’iu kushtuar plotësisht lutjes.
Kur Shën Tereza e Krishtit Fëmijë u shpall shenjte, nuk u lartua në elter, sepse për të u zbuluan gjëra të reja, të jashtëzakonshme.
Jo!
U shpall shenjte vetëm për një gjë, të cilën Piu X e përshkroi kështu: “Bëri punë të zakonshme, me dashuri të jashtëzakonshme!”. Për këtë zotohemi edhe ne, misionaret e bamirësisë, gjatë kushteve: i japim fjalën Krishtit për të bërë gjëra të vogla, por me dashuri tejet të madhe!".







All the contents on this site are copyrighted ©.