2009-08-04 17:14:25

Pas thirrjes së Benediktit XVI për t’i dhënë fund dhunës në Pakistan, nunci ngre zërin kundër ligjit të blasfemisë.


(04.09.2009 RV)RealAudioMP3 Është kthyer qetësia në Gojra, qytet pakistanez, pak ditë më parë teatër i sulmit të tmerrshëm kundër bashkësisë së krishterë nga ana e fondamentalistëve islamikë. Policia ka marrë në pyetje dyqind persona, të dyshuar për pjesëmarrje në aktet e dhunës, që shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e disa njerëzve të pafajshëm, ndërmjet të cilëve, edhe një fëmijë shtatë vjeç.
Këshilli ekumenik i Kishave kërkoi nga autoritetet pakistaneze të impenjohen për të mbrojtur pakicën e krishterë.
E kjo, duke pasur parasysh se ky i Gojrës, është vetëm një nga aktet e shumta të dhunës, që vijon prej vitesh kundër besimtarëve të paktë të krishterë në Pakistan. Nga ana tjetër, ndonëse dihet që kryhen nga grupe fanatikësh islamikë, këto akte të tmerrshme e gjejnë gjithnjë më shpesh pretekstin tek ligji mbi blasfeminë, në fuqi. Këtë nënvizon edhe Nunci Apostolik në vendin aziatik, imzot Adolfo Tito Ilana, me të cilin u lidhëm telefonikisht. Nga Pakistani - Imzot Ilana:

Përgjigje: - Me të vërtetë ne këtu pësojmë persekutim me këtë ligj, që e quajnë ‘blasphemy law”, ligji mbi blasfeminë. Por të gjithë këtu e dinë se ligji përdoret për t’iu kundërvënë pakicave të krishtera. I persekutojnë pikërisht duke i akuzuar për blasfemi. Një nga krerët fetarë ia nis e bërtet me sa zë që ka: “Këta janë të pafe, duhet t’i zhdukim nga faqja e dheut, t’i mbysim, sepse kanë dhunuar …”, e pastaj vijon akuza për dhunimin e kushedi çfarë gjëje, që ka të bëjë me islamin. Gjithçka është trillim, të gjitha akuzat për blasfemi, që u bëhen të krishterëve nuk kanë kurrfarë baze, siç nuk ka bazë as kjo e fundmja. Ne vuajmë, e kjo nuk është hera e parë. S’është çështje feje, por thjeshtë përpjekje e një grupi, pa pikën e dashurisë për njeriun e të respektit për jetën, për të vënë nën zgjedhë grupin tjetër, domethënë, pakicën e krishterë.

Pyetje: - Kishë martire, kjo e Pakistanit…

Përgjigje: - Për fat të keq, kështu është. Vuaj shumë. Jam i zhgënjyer e më vjen thellësisht keq për këtë, por më ngushëllon shumë fakti kur ndonjë i krishterë, si një nga ato që iu dogj shtëpia, deklaron: “Shpresojmë vetëm që Zoti t’u japë dritën e nevojshme, për ta parë udhën e drejtë”. Këto fjalë janë më të fuqishme se një homeli që mund të mbaj unë. Pakicat e krishtera vuajnë tmerrësisht, por vuajtjet nuk mund ta zhdukin shpirtin e krishterë, që vijon të mbretërojë ndërmjet njerëzve, të cilët pësojnë, si Zoti i tyre.

Pyetje: - Pakica e krishterë, pas kësaj ngjarjeje të rëndë, kërkoi të mbrohet nga autoritetet…

Përgjigje: - Është një gjë që e presim prej kohe, sepse dhuna shpërthen vazhdimisht aty-këtu. Bëhet pajtimi, dëmshpërblehen njerëzit e dëmtuar e pastaj dhuna përsëritet. Duhet pasur kujdes, sepse më të ligështit jemi ne. Ne të krishterët nuk kemi armë, shtëpitë tona digjen, kjo është e vërtetë. E dihet edhe se ne nuk mund t’ia bëjmë të njëjtën gjë tjetrit, pikërisht sepse jemi të krishterë. Këtu edhe autoritetet, që kanë studiuar në shkollat tona, e dinë se të krishterët janë për respektin reciprok, për ndihmë, e megjithatë, kur vjen puna për të mbrojtur drejtësinë, i bëjnë sytë të verbër, nuk shikojnë as nuk dëgjojnë, e kjo është tejet e rëndë. Ipeshkvi është atje, në Gojra, për ta njohur nga afër situatën. Po takohet me të krishterët, me familjet, por edhe me kryeministrin e Penxhabit, që ka shkuar atje ndoshta për ndihmë financiare. Gjithsesi të krishterët thonë: “Shumë mirë. Faleminderit! Por ajo që duam ne, është të na mbrojë, sepse jemi krejtësisht të pambrojtur: na mbroni, ju lutemi!”. Madje patën njoftuar tri ditë para se të ndodhte ngjarja tragjike. I falim, por pa harruar se nuk mund as të përfytyrohet sa vuan njeriu, kur shikon familjen e vet të djegur për së gjalli. Si është e mundur? Si mund të ndodhë kjo?

Pyetje: - Dëshironi të thoni ndonjë fjalë, të bëni ndonjë thirrje, për ata që na dëgjojnë në vende tejet të largëta nga Pakistani e që, prandaj, nuk e dinë as ç’do të thotë vuajtje e një Kishe martire…

Përgjigje: - Bëj thirrje, vërtetë, vetëm për solidaritetin, që mund ta shprehin posaçërisht duke u lutur, sepse jemi ende të bindur, unë jam i bindur, se këtë vuajtje mund ta kapërcejmë me lutje. E di se nuk ka të keqe, sado e fuqishme të jetë, që të mos kapërcehet me lutje. Përveç tjerash, kërkoj të mos harrohet Kisha e varfër dhe e vogël, në mes të një bote armike, e ata pak besimtarë, që vijojnë të jetojnë këtu e të praktikojnë fenë me çmimin e vetë jetës. Gjithnjë të gëzuar e krenarë për fenë e krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.