Në gusht Papa na fton të lutemi për refugjatët dhe të shpërngulurit. Drama e tyre
duhet t’i zgjojë ndërgjegjet.
(04.08.2009 RV)Në ndjetin e lutjes
për muajin gusht, Benedikti XVI i fton të gjithë besimtarët ta lusin Zotin që opinioni
publik të jetë më i ndjeshëm përballë problemit të miliona të shpërngulurve e refugjatëve
e të gjinden rrugëzgjidhje konkrete për gjendjen e tyre, shpesh herë tragjike. Mbi
këtë ndjet flet, në mikrofonin tonë, drejtori i Qendrës romake ‘Astali’ të jezuitëve
për refugjatët, atë Gjovani la Mana:
Përgjigje: - Jemi
të kënaqur që Ati i Shenjtë na mbështet, duke i ftuar besimtarët të luten për 42 milionë
refugjatët e shpërndarë nëpër botën e sotme. Kjo duhet t’i zgjojë ndërgjegjet e atyre
që kanë përgjegjësi e edhe fuqi për t’i ndryshuar fatet e kësaj bote. Fate, këto,
që na shqetësojnë fuqimisht si besimtarë, sepse të drejtat e njerëzve shkelen, ndërsa
flitet e flitet për vëmendje ndaj tyre. Në Itali, këtë çast, me dekretin e ri të sigurisë,
na shqetëson thellësisht fati i refugjatëve. Ua njohim të drejtën e strehimit politik,
sepse nënshkrues të Traktatit të Gjenevës, ndërsa faktikisht ua mohojmë, sepse i pengojmë
të vijnë e, prej këndej, të bëjnë kërkesën për t’u strehuar larg vendeve, ku i pret
persekutimi e edhe vdekja.
Pyetje: - Miliona njerëz, çdo vit, detyrohen
të lënë shtëpitë e tyre e të kërkojnë mbrojtje në vise të tjera; janë viktima të persekutimeve,
të dhunës, të luftërave, për të cilat dimë fare pak. Ç’mund të mësojmë nga historitë
e tyre?
Përgjigje: - Mësimi i parë është ai i besimit të fuqishëm
në shpresën e në vetë jetën. Nuk mund të mos e pranojmë përgjegjësinë për atë që po
ndodh në botën tonë. Me mënyrën si jetojmë ditë për ditë, mund ta lehtësojmë këtë
mënyrë veprimi, por mund t’i themi edhe ‘jo!”. Mund të dëshirojmë që kjo botë të ndryshojë,
t’u krijojë të gjithë njerëzve mundësitë të jetojnë në paqe e ta praktikojnë fenë
e tyre në trojet e veta, në girin e kulturës së vet e me familjen e vet, duke vijuar
punën në atdhe.
Pyetje: - Papa lutet që drama e të shpërngulurve
dhe e refugjatëve të ndjehet më fort nga opinioni publik. Mendoni se mund të formohet
një vetëdije solidare globale?
Përgjigje: - Është e mundur.
Këtë synon gjithë impenjimi ynë. Na duket se shumë kanë vënë në plan të parë, në jetën
e tyre, përparësi të tjera, nga ato që janë vërtetë të rëndësishme, siç është jeta
vetë e edhe respekti për dinjitetin e vëllezërve tanë, që vuajnë.
Pyetje:
- Ju mendoni se t’i mbrosh të shpërngulurit e refugjatët është sfidë botërore,
për të cilën megjithatë shpesh nuk gjinden rrugëzgjidhjet e përshtatshme? Ç’përgjigje
mund të japin shtetet, por edhe qytetarët e veçantë?
Përgjigje: -
Mikpritjen: t’i njohin tjetrit dinjitetin, duke e pranuar si vëlla. Nga kjo përpjekje
nis mundësia për të hyrë në lidhje me atë, që kalon vështirësi. Nis mundësia për ta
kuptuar se në këtë botën tonë ka edhe luftëra, ndonëse na duken tejet të largëta nga
pragu ynë. Përballë tyre, nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Na trishton, pastaj fakti,
se Bashkimi Evropian bëhet gjithnjë më shumë kështjellë e ngritur kryesisht për t’iu
kundërvënë fenomenit të arritjes së njerëzve, në vend që të shqetësohej për vetë njerëzit,
duke ua hapur dyert e duke u munduar të kuptojë çka nuk funksionon si duhet. Duhen
ndihmuar, duke respektuar jetën e njerëzve, të cilët nuk vijnë në Itali e as në Evropë
për shëtitje, por detyrohen të vijnë, pikërisht sepse në vendet e tyre ka gjëra, që
nuk funksionojnë si duhet.