2009-08-03 17:43:15

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: “Dy degëzime motrash”.


(03.08.2009 RV)RealAudioMP3 Po vijojmë shfletimin e librit ‘Jeta ime’, që e rifilluam dje, duke u rikthyer tek cikli i emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes.
“Dy degëzime motrash”, titullohet emisioni ynë i dytë, që na shtyn t’i bëjmë vetes një pyetje me rëndësi të dorës së parë për jetën tonë shpirtërore: “Sa kohë i kushtojmë lutjes? A e dimë se lutja për shpirtin, është çka është buka e përditshme për trupin? Se shpirti ka nevojë të përorshme për këtë ushqim? … Përgjigjen na jep vetë Nënë Tereza:

"Në familjen tonë rregulltare bëjnë pjesë edhe motrat e Fjalës së Zotit.
Janë dega jonë kundruese.
Luten tri orë në shtëpi e një orë në famulli.
Pastaj, për dy-tri orë të tjera, dalin jashtë e flasin për Jezusin.
Mos kujtoni se flasin në publik, në rrugë a në sheshet përplot me njerëz, nga kush e di ç’tribunë. Ecin e u flasin për Jezusin njerëzve, që dëshirojnë t’i dëgjojnë.
Njerëzit kanë shumë dëshirë ta dëgjojnë atë, që u flet për Zotin tonë.
Sa do të më pëlqente të bashkohesha me këto motra, për ta kaluar gjithë jetën në kundrim. Për të ndenjur gjithnjë me Jezusin, e asgjë më.
Gjithnjë më ka pëlqyer të jem kundruese: të rri me Jezusin gjithë ditën e lume, të mendoj vetëm për Të, të flas vetëm për Të.
Kushtetuta e Misionareve të Bamirësisë pohon: “Kundrimi është dhurata, që ia bën Zoti çdo misionareje”.
Jeta jonë kundruese është thjeshtë përpjekje për ta ndjerë praninë e përhershme të dashurisë së Zotit, që na shfaqet në sendet më të vogla të jetës”.
E ne duhet t’i përgjigjemi kësaj dashurie. Po si? Duke qenë gjithnjë gati, në shërbim të Zotit, duke e dashur me gjithë mend, me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me të gjitha forcat, pavarësisht nga mënyra sesi shprehet kjo dashuri.
Kundrimi ynë është kërkim i fytyrës së Zotit në të gjitha gjërat, në të gjitha fytyrat, në të gjitha vendet e në të gjitha kohët, është përpjekje për ta parë gjithkund dorën e tij, në të gjitha ngjarjet, në të mirat e të vështirat, nëpër të cilat përshkohet jeta jonë.
Dikush më pyeti një ditë pse e nisëm institutin e ri të Motrave të Fjalës së Zotit në SHBA, në vend që ta bënim këtë në Indi, ku unë jetoj e punoj e prej nga vjen shumica e motrave tona.
Sipas meje, përgjigja është tejet e thjeshtë: sepse në SHBA ka ardhur koha për një hap të tillë, gjë që tani për tani nuk mund të bëhet në Indi.
Por kjo nuk do të thotë se një institut i tillë duhet të kufizohet vetëm në SHBA. Shtëpi të tilla mund t’i hapim edhe në vise të tjera.
Rishtaret e degës kundruese luten tetë orë rresht çdo ditë.
Dalin dy ose tri orë jashtë e u flasin për Jezusin, atyre që kanë dëshirë t’i dëgjojnë.
Nuk u flasin grupeve, por njerëzve që ulen në bankat e parqeve, të sëmurëve të shtruar në spitale, të vetmuarve, që enden të dëshpëruar andej e këndej, pa gjetë cak as shpresë.Unë vetë shkova një ditë tek një vajzë e re e sëmurë, e cila më rrëfeu se nuk e kishte të lehtë të besonte në Jezusin, e aq më pak, të lutej.
I dhashë një libër.
Kur shkova ta takoj përsëri, më tha se e kishte lexuar e se dyshimet e saj ishin zhdukur. Kishte nisur të besonte, pra edhe të lutej e të shpresonte. Në jetën e saj të errët, kishte shpëthyer një rreze e fortë drite…".







All the contents on this site are copyrighted ©.