2009-08-03 17:42:59

Papa në përfundim të koncertit në Kastel Gandolfo: bukuria do të fitojë mbi të keqen dhe errësirën e botës, në se veprojmë mirë.


(03.08.2009 RV)RealAudioMP3 Mirësia e bukuria e Krijimit të Hyjit, do të fitojnë mbi pikëllimet e botës: këtë tha mbrëmë Papa, në përfundim të koncertit, dhënë për nder të tij në Oborrin e brendshëm të Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, nga orkestra e Dhomës bavareze e Bad Brukenaut, drejtuar nga oboisti Albreht Majer. U luajtën kompozime nga Bah, Moxart e Biten.
Papa, duke folur në gjuhën gjermane, u shprehu vlerësimin e tij muzikantëve, të cilëve u kërkoi ndjesë se, për herë të parë, nuk mundi të duartrokasë si duhet gjatë një koncerti kaq të bukur, për shkak të aksidentit në dorën e djathtë. U shpreh, pastaj, i mrekulluar, për cilësitë e oboes, një copë druri, nga i cili mund të gurrojë një kozmos i vërtetë muzikor:
“Und das bedeutet…”
Kjo tregon shtoi – se mbarë Krijesa është plot me premtime e se u la në dorë njeriut që të shfletojë së paku ndonjë faqe të këtij libri plot me premtime, duke pëdorur jo vetëm forcën e arsyes, por edhe atë të zemrës, për të shkuar në kërkim të premtimeve më të thella”.
Një orë parajsore – e quajti Papa mbrëmjen muzikore – që i krijoi mundësitë të shijojë, përmes tingujve, bukurinë dhe mirësinë e Krijimit:
“Und es ist nicht eine Flucht…”
E kjo – tha – nuk është arratisje nga mjerimet e kësaj bote e nga e përditshmja e saj, sepse nuk mund t’i bëjmë ballë së keqes e errësirës, vetëm në se besojmë në të mirën, e do t’ia dalim të besojmë në të mirën, vetëm në se mund ta provojmë e ta jetojmë si realitet”.
Më pas Papa muzikant shtoi, plot besim e shpresë për ardhmërinë e njerëzimit:
E ne, në këtë orë, pamë e dëgjuam se është një pjesë e botës, që nuk u shemb pas Kullës e mburrjes së Babelit: është muzika, një gjuhë që e kuptojmë të gjithë, që prek zemrat e ne të gjithëve. E kjo për ne nuk është vetëm garanci, që na siguron se mirësia, bukuria e Krijimit të Hyjit nuk u shkatërrua, se ne jemi të thirrur e të aftë të punojmë për të mirën, për të bukurën, por është edhe premtim, që na siguron se bota e pritme do të vijë, se Zoti fiton, se e bukura dhe mira fitojnë!”.
Mos të harrojmë: muzika është ngushëllim e prehje, në mundimin e përditshëm – tha në përfundim Papa – e për këtë nuk mund të mos u shprehim mirënjohjen tonë muzikantëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.