2009-08-03 17:40:58

Benedikti XVI: thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Pakistan!


(03.08.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI shpreh dhimbjen e tij të thellë për vrasjen tragjike të burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm si dhe për shkatërrimin e madh, pasojë sulmeve pa pikën e kuptimit, kundër bashkësisë së krishterë të Gojrës.
Por, të rikthehemi tek ngjarja:
Tmerr në Pakistan: së paku tetë të krishterë, ndërmjet të cilëve një fëmijë e katër gra, u dogjën të gjallë nga një grup fondamentalistësh islamikë pranë Gojrës, në provincën e Penxhabit. Pretekst për një sulm të tillë kriminal e çnjerëzor, sipas fanatikëve islamikë, ishte dhunimi i Kuranit nga ana e një djaloshi të krishterë. Ministri pakistanez për pakicat, duke e konsideruar këtë akuzë të rreme thjeshtë pretekst për gjestin barabar, ngriti zërin për të denoncuar policinë, e cila nuk e mbrojti si duhet bashkësinë e vogël të krishterë. Sulmuesit shkatërruan më se 50 shtëpi e u dhanë flakën dy kishave. Veç të djegurve, numërohen edhe dhjetë të plagosur, disa nga të cilët në gjendje të rëndë.
E sot mbi gjithë Pakistanin shtrihet hija e rëndë e mortit. Shkollat janë mbyllur e do të hapen vetëm pas tri ditësh, në shenjë zije për viktimat e krishtera. Lajmet e televizionit pakistanez Daun e thellojnë më tej këtë atmosferë zije, ndërsa grupe të ndryshme të krishterësh protestojnë, duke i kërkuar qeverisë më shumë mbrojtje si dhe zbatimin e drejtësisë kundër fajtorëve shkaktarë - sipas statistikave - për vdekjen e 8 vetëve, ndërmjet të cilëve, dy fëmijë e tri gra - të djegur së gjalli.
Trupat paraushtarake e policia vijojnë kontrollin në rrugët e Gojrës e në fshatrat e Penxhabit pakistanez, tani për tani të qeta. Qeveria e presidenca e Pakistanit, përmes zëdhënësit të tyre, njoftuan se është ngritur një komison hetimor ad hoc për të hedhur dritë të plotë mbi ngjarjen, që ka tronditur mbarë botën, ndërsa flitet për qindra të arrestuar si shkaktarë të atentateve gjakatare kundër të krishterëve, ndërmjet së premtes se së shtunës së kaluar.
Kryeminsitri i Penxhabit, Shahbaz Sharif, njoftoi se familjarëve të viktimave do t’u jepet një dëmshpërblim prej 500 mijë rupjesh.
Në këtë atmosferë, në Pakistan arrin telegrami i ngushëllimit i Benediktit XVI, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar ipeshkvit të Faizalabadit, imzot Jozef Kuts.
Në emër të Zotit – shkruhet në telegram - Papa i kërkon të gjithëve të heqin dorë nga mjeti i dhunës, që shkakton kaq shumë vuajtje e të rinisin udhën e paqes. Njëkohësisht Papa i kërkon bashkësisë së krishterë të Pakistanit të vijojë përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie, në të cilën ndjenja e thellë e besimit në vlerat njerëzore e fetare, karakterizohet nga respekti i anasjelltë i gjithë anëtarëev të saj”.
Kujtojmë edhe se Papa, në ndjetin misionar të uratës për muajin gusht, i fton të gjithë besimtarët e krishterë të luten pikërisht për të krishterët e diskriminuar e të persekutuar për shkak të emrit të Krishtit, që t’u njihen të drejtat njerëzore, barazia e liria fetare, në mënyrë që të mund ta jetojnë e ta praktikojnë lirisht fenë e tyre. Mbi faktet e Penxhabit, të dëgjojmë drejtorin e Agjensisë Misionare AziaNjuz, Atë Bernardo Çervelera, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Në Gorja ndodhi që, të paktën 3 mijë myslimanë, të nxitur nga mullahu i tyre e edhe të shkandulluar nga zëra, që flisnin për gjeste blasfemie, kryer pak ditë më parë, i vunë zjarrin pjesës së krishterë të fshatit, ku jetonin 2-3 mijë të krishterë. Disa nga të krishterët nuk munden të dalin nga shtëpitë e u dogjën të gjallë. Prej tyre dihen emrat e shtatë vetëve. Por mund të ketë edhe të tjerë. I gjithë fshati u shkatërrua; rreth 50 shtëpi, ku banonin të krishterët, u kthyen në gërmadha, nga të cilat vijon të dalë tym e të përhapet erë mishi të djegur. Të tjerët natyrisht ikën e u fshehën në pyjet e në malet rretheqark, ku pritën derisa të afërmit erdhën, i morën me makina e i strehuan në shtëpitë e tyre.

Pyetje: - Ç’thotë ligji mbi blasfeminë në Pakistan?

Përgjigje: - Praktikisht, mund të arrestohesh e edhe të dënohesh me vdekje, vetëm në se akuzohesh për blasfemi: nuk është fare e nevojshme të hetohet vërtetësia e akuzës. Mjaftojnë një a dy dëshmitarë. Kjo e bën ligjin mjet tejet të lehtë në duart e atyre që duan të hakmerren. Në të vërtetë, në shumicën e rasteve, zbatohet vetëm kundër të krishterëve – ose kundër hinduistëve, për t’u grabitur trojet, për hakmarrje personale ose për arsye të tjera që, sigurisht nuk kanë të bëjnë fare me mbrojtjen e fesë. Prandaj mund të themi me plot gojën se është ligj krejtësisht i padrejtë. Të krishterët prej vitesh kërkojnë të shfuqizohet ose të përcaktohen mirë termat e tij. Sepse, e dini ç’mund të ndodhë? Mund të ndodhë që të krishterët ose njerëz të feve të tjera të arrestohen e policia shpesh - thjeshtë për faktin se akuzohen për blasfemi kundër Kuranit ose kundër Muhametit – t’i torturojë, t’i rrahë e edhe t’i lërë të vdesin në burg, pa harruar se nganjëherë bëhen edhe ekzekutime në masë, duke i vrarë njerëzit pa e marrë fare mundimin për t’i gjykuar.

Pyetje: - Sipas të dhënave të fundit, të krishterët janë bashkësia më e persekutuar në botë – flitet për 200 milionë të krishterë të përndjekur…
 
Përgjigje: - Po, është e vërtetë, e në se shikojmë vetëm Azinë, në kontinent ka të paktën 35-36 vende, ku liria fetare është e kufizuar. E kufizim do të thotë të të ndalohet ta shprehësh besojmën tënde, të mos kesh liri të lëvizësh e deri tek mungesa e së drejtës për të pasur një kapelë, një ikonë a një kryq në shtëpi. Prej këndej lind dhuna e vazhdueshme kundër të krishterëve, deri në vrasje. Duhet sqaruar se në vendet islamike kjo është më e theksuar, edhe për faktin se të krishterët shikohen me sy të shtrembër, si përfaqësues të botës perëndimore, kundër së cilës fondamentalizmi mysliman ka shpallur luftën e shenjtë. Por nuk duhet harruar se në shumë vende të Azisë të krishterët janë aty prej shekujsh, janë para islamikëve. Sulmohen, prandaj thjeshtë sepse zgjojnë ndërgjegjet e fjetura të njerëzve, sepse pohojnë e mbrojnë të drejtat e njeriut, si në Indi, për shembull, ku japin ndihmesën për revolucionin shoqëror, për barazinë ndërmjet njerëzve, që konsiderohen si të paprekshëm, sepse jashtë sistemit të kastave, mbi të cilin ngrihet shoqëria vendase. Prandaj, për ata që e kanë e duan ta mbajnë pushtetin, shikohen si forca shqetësuese, që ua prishin rehatinë, duke zgjuar të fjeturit prej shekujsh e duke ua hapur skllevërve rrugën drejt lirisë!







All the contents on this site are copyrighted ©.