2009-08-03 17:34:53

Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: meshtarët, si shenjtorët, të jenë plotësisht të dashuruar me Krishtin.


(03.08.2009 RV)RealAudioMP3 “Shenjtorët, modeli i meshtarëve e Eukaristia, bukë e vërtetë e jetës”: këto ishin argumentet kryesore, që preku dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo. Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, duke iu drejtuar besimtarëve polakë të pranishëm, kujtoi 65-vjetorin e kryengritjes heroike të Varshavës kundër nazistëve.

 
Gjatë lutje së parë të Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo pas pushimeve në Vale d’Aosta, Papa nënvizoi se Viti Meshtarak, që po kremtojmë, është rast i çmuar për thellimin e vlerës së misionit të meshtarëve në Kishë e në botë. Më pas u paraqiti meshtarëve si modele, Shenjtorët që Kisha i kujton në këto ditë, të parat e gushtit, duke nisur nga Shën Alfons Maria de’Liguori, “mësues i madh i teologjisë morale e model virtytesh kristiane e baritore, gjithnjë i gashtëm për t’iu përgjigjur nevojave fetare të popullit”. Më pas Benedikti XVI u ndalua tek figura e Shën Françeskut të Asizit, pikërisht dje kur kremtohej ndjesa e Asizit: çdo meshtar – pohoi Benedikti XVI – duhet të ketë gjithnjë atë dëshirë të zjarrtë për shpëtimin e shpirtrave, që pati varfanjaku i Asizit. Shën Françesku e nxori këtë ndjesë të plotë nga Papa Onori III, në vitin 1216, pasi pati një vegim, ndërsa lutej, krejtësisht i përhumbur, në Kishëzën e Porciunkolës:
“Si iu duk Jezusi në lumninë e tij, me Virgjërën Mari në të djathtën, rrethuar me shumë Ëngjëj, i kërkoi të shprehte një dëshirë, e Françesku iu lut t’i jepte hirin e një ndjese sa më të plotë e sa më bujare, për të gjithë ata që, të penduar e të rrëfyer, do ta vizitonin këtë kishë. Pas miratimit papnor, Shenjti nuk priti t’i dorëzohej ndonjë dokument i shkruar, por ngarendi në Asizi e, si arriti në Porciunkola, e kumtoi lajmin e mirë me këto fjalë: “Vëllezër të mi, dua t’ju çoj të gjithëve në Parajsë!”. Që asokohe, nga mesdita e 1 gushtit e deri në mesnatën e datës 2, mund të fitohet, me kushtet e zakonshme, ndjesa e plotë, edhe për të vdekurit, duke vizituar një kishë famullitare ose françeskane”.
Më 4 gusht, pastaj, do të kremtohet festa liturgjike e Shën Gjon Maria Vianejt. Papa e shpalli Vitin Meshtarak pikërisht për të përkujtuar 150-vjetorin e vdekjes së tij. Për këtë famullitar të përvujtë, model i jetës meshtarake jo vetëm për famullitarët, por për të gjithë meshtarët - tha Papa – do të flas përsëri në katekizmin e së mërkurës së ardhshme. Më pas kujtoi edhe dy shenjtorë të tjerë:
Më 7 gusht, pastaj, do të përkujtohet shën Gajtani nga Tienë, që përsëriste: shpirtrat nuk pastrohen me dashuri sentimentale, por me dashurinë e fakteve”. E një ditë më pas, më 8 gusht, Kisha do të paraqesë sì model Shën Dedën, për të cilin është shkruar se “e hapte gojën ose për të folur me Zotin në lutje, ose për të folur për Zotin”.
Papa kujtoi edhe figurën e madhe të Palit VI, vdekur më 6 gusht, datë në të cilën Kisha do të përkujtojë 31- vjetorin e kthimit të Papës Montini tek Ati Qiellor.
“Jeta e tij tejet e thellë meshtarake e shumë e pasur me dashuri për njeriun, mbetet për Kishën dhuratë, për të cilën duhet falënderuar Zoti. Virgjëra Mari, Nëna e Kishës, i ndihmoftë të gjithë besimtarët të dashurohen krejtësisht me Krishtin, duke ndjekur shembullin e këtyre modeleve të shenjtërisë meshtarake”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të tjera, duke shpjeguar Ungjillin e djeshëm, Ati i Shenjtë kujtoi ftesën e Jezusit: “Veproni, veç jo për ushqimin që prishet, por për ushqimin, i cili qëndron për jetën e amshuar. Atë do t’jua japë Biri i njeriut”. Është Ai buka e vërtetë e jetës, që na jep guxim e besim e na e përfocon fenë tonë.

Së fundi, duke iu drejtuar besimtarëve polakë, Papa kujtoi 65-vjetorin e kryengritjes së Varshavës, që nisi ditën e parë të gushtit 1944 e që u kushtoi jetën mijëra njerëzve, dëshmorë të luftës për çlirimin e Polonisë nga pushtimi nazist:
“Z heroizmu Powstańców…
Nga heroizmi i kryengritësve e nga burrëria e kombit – pohoi Benedikti XVI – lindi Polonia e lirë. Flijimi i jetës së tyre i sjelltë fryte paqeje e prosperiteti Atdheut tuaj. Zoti e bekoftë Poloninë e secilin nga ju”.







All the contents on this site are copyrighted ©.