2009-08-01 18:12:28

Papa Benedikti XVI çon telegram për vdekjen e Korazon Akuinos


(01.08.2009 RV)Filipinet në zi për vdekjes e Korazon Akuinos, ish-presidente e vendit, e cila mbylli sytë në një spital të Manilës, pas një beteje të gjatë kundër sëmundjes së kancerit. Akuiono, që filipinasit e quanin me përzemërsi “Kori”, pati sjellë demokracinë në vitin 1986, duke udhëhequr protestat që rrëzuan nga pushteti diktatorin Ferdinand Markos. Familja lajmëroi se ish-presidentja vdiq në orën 3:18 të natës. Vendi do të mbajë 10 ditë zi.
Edhe Papa Benedikti XVI, në telegramin e ngushëllimit, që mban firmën e sekretarit të shtetit të Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone shpreh dhimbjen e tij të thellë për këtë humbje të madhe për popullin e Filipineve. Ai kujton guximin dhe impenjimin e saj për të çliruar filipinët nga diktatura, mohimin e vendosur të dhunës dhe intolerancës dhe kontributin për të ndërtuar një rend politik të drejtë për atdheun e vet. Papa e kujton Korazon Akuinon si grua me fe të thellë e të madhe, prandaj lutet që ajo të gjejë vërtet pushimin e pasosur në të cilin besonte. Telegrami, që i drejtohet kryeipeshkvit të Manilës, kardinal Gaudencio Rozales, përfundon me bekimin e Atit të Shenjtë për të gjithë ata që morën pjesë në funeralin e krishterë dhe e ngushëllimet për familjen e autoritetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.