2009-08-01 17:01:34

Papa atletëve të Kampionatit botëror të notit: “Kampionë në sport e në jetë”


(01.08.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI u takua sot në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos me trajnerët, drejtuesit dhe atletët e skuadrave të shteteve, që marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Notit, i cili përfundon nesër në Romë. Papa priti një delegacion prej mëse njëmijë vetësh, që përfaqësonin 183 vende dhe mëse 4 mijë atletë e trajnerë.
Gjallëria e rinisë, që nuk i shmang stërvitjet e rënda dhe pranon me dëshirë sakrifica e privime, është baza për një shfaqje të mrekullueshme disipline e humaniteti, bukurie artistike e vullneti të paepur. E gjithë kjo – pohoi Papa – përbën një leksion të rëndësishëm për jetën:
“Sporti, i praktikuar me pasion e me etikë, sidomos për rininë, bëhet palestër e agonizmit të shëndoshë dhe e përsosjes fizike, shkollë formimi vlerash njerëzore e shpirtërore, mjet i privilegjuar për zhvillimin personal e për kontaktin me shoqërinë”.
Kisha, theksoi Ati i Shenjtë, e ndjek dhe kujdeset për sportin, i cili nuk është qëllim në vetvete, por mjet i çmueshëm për formimin e personit:
“Edhe në Bibël gjejmë referime interesante për sportin si imazh i jetës. Për shembull, Shën Pali Apostull e quan një vlerë të vërtetë njerëzore, e përdor jo vetëm si metaforë për të ilustruar ideale të larta etike dhe asketike, por edhe si mjet për formimin e njeriut dhe si përbërës të kulturës e të qytetërimit të tij”.
Gjuha e sportit – shpjegoi Papa – është universale dhe e përshtatshme sidomos për brezat e rinj. Është e rëndësishme që përmes sportit të përçohen mesazhe pozitive, që kontribuojnë në ndërtimin e një bote më vëllazërore e më solidare:
“Ju, të dashur atletë, jeni model për bashkëmoshatarët dhe shembulli juaj mund të jetë vendimtar për ta e për ndërtimin e së ardhmes së tyre. Të jeni pra kampionë në sport e në jetë!”
Dy kampionë botërorë, gjermani Paul Biderman dhe italiania Federika Pelegrini i dhuruan Papës, në emër të atletëve, serinë e medaljeve të arta për çdo disiplinë dhe peshqirin, tutën e kufjen e pishinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.