2009-08-01 13:51:39

Me 2 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Euzebin e Verçelit.


(02.8.2009 RV)Shën Euzebi, që njihet me atributin “i Verçelit”, gjë që zakonisht tregon vendlindjen, në të vërtetë lindi në Sardenjë nga fundi i shekullit III dhe fillimi i shekullit IV. Emrin Euzeb e mori në Romë ku, si vendosi të kthehej në fenë e krishterë, u pagëzua nga Papa Euzebi. Aty nga viti 345, pasi kishte kryer studimet kishtare, fitoi admirimin e Papës Juli I, i cili e emëroi ipeshkëv të Verçelit. Këtu vendosi të jetonte në kuvend, së bashku me priftërinjtë e tij, duke e lidhur kështu ngusht ungjillëzimin me stilin e jetës murgare.
Ishte shok i ngushtë me Liberin, që më pas do të bëhej papë. I bashkonte dëshira për ta jetuar deri në fund të fundit Ungjillin. Gjatë veprimtarisë së tij si ipeshkëv i Verçellit, vend që i dha atributin, hasi vështirësi të mëdha aq, sa për qëndrimin e tij të palëkundur, u internua në Azi nga perandori arian Kostanci, së bashku me ipeshkvin e Milanos, Dionizin. Atje u torturua, vuajti nga uria e nga etja por, pati fatin të rikthehehej në selinë e vet ipeshkvnore, njëherësh me Dionizin. Shën Euzebi e drejtoi Kishën e Verçellit me urti e shenjtëri edhe dhjetë vjet pasi u kthye nga internimi. Ia fitoi zemrën të gjithëve me oratorinë e jashtëzakonshme. E jo vetëm sepse fliste mrekullisht mirë, por ajo që ka më tepër rëndësi, sepse shprehte atë që e ndjente në thellësi të shpirtit. E ashtu si kishte jetuar me frymën e Ungjillit, ashtu edhe vdiq. Kur mbylli sytë në qytetin ku ishte ipeshkëv e ku ruhen edhe sot reliket e tij, edhe viti 371 numëronte ditët e fundit.
Sipas traditës, themeloi dy shenjtërore shumë të njohura: atë të Oropës (Biela e sotme) dhe atë të Kreas (Aleksandria e sotme).
Shën Euzebi është pajtor i zonës piemonteze të Verçelit në Itali. Emri i tij vjen nga greqishtja e do të thotë njeri i mëshirshëm, që jeton me frikën e Zotit, ndërsa simbolet e Shenjtit janë shkopi baritor dhe mitra.







All the contents on this site are copyrighted ©.