2009-07-31 16:06:14

Së paku 600 të vdekur në Nigeri, në ndeshjet ndërmjet ushtrisë e grupeve islamike


(31.07.2009 RV)RealAudioMP3 Gjashtë ditë pas fillimit të luftimeve, ushtria nigeriane po përfundon ofensivën kundër grupit islamik Boko Haram, që kërkon vendosjen e ligjit të sharisë në të gjithë vendin. Ndeshjet, të cilat kanë përgjakur Maidugurin, kryeqytetin e shtetit verior të Bornos, kanë shkaktuar deri tani rreth 600 të vdekur. Ndër viktimat, edhe kreu i milicisë integraliste, Mohamed Jusuf. Deri tani, ligji i sharisë është në fuqi vetëm në disa shtete të veriut, me shumicë myslimane. Për një analizë të situatës, intervistuam kryeipeshkvin katolik të kryeqytetit Abuja, imzot Xhon Onaiejekan:
Të shohësh se si shkon kot jeta njerëzore është trishtim i vërtetë. Ka rrethe fondamentalizmi islamik, me njerëz që nuk kanë asnjë farë respekti për jetën njerëzore, e as për jetën e vet. Ka njerëz të gatshëm të vdesin, për të ndjekur idetë e tyre fanatike. Nuk dihet nëse kanë lidhje jashtë vendit për armë, por shpresojmë që qeveria ta gjejë shpejt përgjigjen.
Shkëlqesi, si janë marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve?
Ky nuk është problem i të krishterëve me myslimanët. Kemi të bëjmë me një grup fanatikësh që e kanë me të gjithë. Në fakt, thonë se myslimanët nigerianë nuk janë shumë të rreptë: megjithëse ekziston sharia në atë zonë, thonë se nuk është ligji islamik i vërtetë, por një ligj që nuk i shërben qëllimit të tyre. Do të donin që e gjithë Nigeria të bëhej islamike, që ajo të deklarohej vend islamik. Përparimet që janë bërë, sipas tyre, ndalohen nga Islami. Por, presidenti, që është mysliman, i ka dënuar, duke thënë se Islami i vërtetë nuk është ky.
Ju jeni në kontakt me ndonjë nga krerët myslimanë?
Unë jam në kontakt me sulltanin e Sokotos, që është kreu i myslimanëve nigerianë dhe të dy jemi dakord se duhet të dënohen ekstremistët, të cilët nuk e duan paqen, pasi sharia e tyre drejtohet kundër qeverisë dhe forcave të rendit. Shohim se këta njerëz duhen marrë seriozisht.
A mendoni të bëni ndonjë dokument të përbashkët?
Po. E rëndësishme, tani, është që me anë të deklaratës së përbashkët të dalë në pah qëndrimi i Islamit në Nigeri. Miqtë tanë myslimanë thonë se këta njerëz nuk janë besimtarë të vërtetë e duan vetëm sherr. Fatkeqësisht, i kemi parë edhe në vende të tjera të botës, këta njerëz, që nuk besojnë në paqen, në bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve. Në Nigeri, ku 50% e popullsisë është e krishterë e 50% myslimane, ne nuk mund ta tolerojmë këtë gjendje, pasi duam të jetojmë në paqe.







All the contents on this site are copyrighted ©.