2009-07-31 17:10:05

Ndërmjet Bonaventurës e Tomës: Papa më 6 shtator në Viterbo e Banjorexhio


(02.07.2009 RV)RealAudioMP3 Do të jetë një shtegtim në gjurmët e Shën Bonaventurës, vizita që Papa do të bëjë më 6 shtatorin e ardhshëm në Viterbo e në Banjorexhio. Sipas programit, që u njoftua sot nga Salla vatikanase e Shtypit, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën në Vale Faul të Viterbos, në orën 10. 15; më pas do të bëjë një ndalesë të shkurtër para Shenjtërores së Shën Rozës, Pajtore e Qytetit.
Pasdite, vizita private në Shenjtëroren e Zojës së Lisit e, më pas, transferimi, me helikopter, në Banjorexhio, vendlindje e Shën Bonaventurës, reliken e të cilit Papa do ta nderojë në katedralen e Shën Nikollit.
Në përfundim të vizitës, Benedikti XVI do të takohet me popullsinë vendase në Sheshin e Shën Agostinit.
Kujtojmë se Atin e Shenjtë e ka tërhequr gjithnjë fuqimisht mendimi i Shën Agostinit dhe shkolla augustiniane, një nga nxënësit më të shquar të së cilës është pikërisht Shën Bonaventura i Banjorexhios. E njëkohësisht, Benedikti XVI ka pohuar vazhdimisht se e vlerëson lart Shën Tomën e Akuinit, domenikan, si dhe shkollën tomiste. Dy shenjtorë, që jetuan në të njëjtën periudhë, në shekullin e 13-të, në krye të dy vizioneve të ndryshme, por përplotësuese, të realitetit. Për Bonaventurën - kujton Papa - rruga drejt së Vërtetës është ndriçim hyjnor, ‘fakt mistik’. Na duhet – shkruan Shenjti – hiri e jo shkenca; dëshira e jo intelekti, fryma e lutjes, jo etja për të lexuar: dija e vërtetë mund të arrihet vetëm nga ai, që e do Krishtin deri në atë pikë, sa të ndajë me të edhe Kryqin.
Ndërsa duke folur për Shën Tomën, Papa vëren se në veprën e tij gjejmë një sintezë mahnitëse të lidhjes së ngushtë ndërmjet arsyes e fesë, që na çon në përfundimin se arsyeja, e ndriçuar nga feja, gjen forcë për t’u lartuar në njohjen e Hyjit e të realiteteve shpirtërore:
“Dashuria shikon më shumë se arsyeja. Dashuria shikon, dashuria është syri; përvoja na jep më tepër se reflektimi. Se ç’ ishte kjo përvojë, Bonaventura e pa në Shën Françeskun: është përvoja e një ecjeje shumë të përvujtë, shumë realiste, ditë për ditë, është ecja krah për krah me Krishtin, duke pranuar Kryqin e Tij. Në këtë varfëri e në këtë përvujtëri gjendet përvoja e takimit me Hyjin, më e larta përvojë, e cila mund të bëhet realitet nëpërmjet reflektimit: përmes saj prekim realisht vetë zemrën e Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.