2009-07-31 17:43:23

Indi: vritet një meshtar në Shtetin e Karnatakës.


(31.07.2009 RV)Kisha indiane është thellësisht e tronditur pas vrasjes së meshtarit Atë Xhejms Mukalel. Trupi i tij pa jetë e krejt i zhveshur, u gjet dje gjatë rrugës që çon në Magalore, në shtetin e Karnatakës. Ipeshkvi i dioqezës siro-malabareze të Beltangadit, imzot Lorens Mukuzhu, e përjashton hamendjen, sipas së cilës atentati ishte pasojë e një sulmi me qëllim rrëmbimi. Sipas hetimeve të para, – pohon për agjensinë AziaNjuz imzot Mukuzhu - Atë Xhejms duhej shumë nga besimtarët dhe nga popullata e zonës. Ishte njeri tejet i mirë e nuk kishte armiq. Madje shquhej si misionar i zellshëm e bamirës. Nuk mund ta kuptojmë si e pse ndodhi një vrasje e tillë e kush mund ta ketë mbytur meshtarin – shton prelati.
Këshilli i përgjithshëm i indianëve të krishterë u kërkoi menjëherë autoriteteve të nisin hetimet për këtë krim të ri kundër meshtarëve katolikë. Dioqeza e Beltangadu, që përgatitet për Kongresin misionar të 3 gushtit të ardhshëm, është thellësisht e tronditur pas kësaj ngjarjeje.
Ky akt i ri dhune u shtohet atentateve të tjera kundër bashkësisë së krishterë, kryer gjatë vitit të kaluar nga fondamentalistët hinduistë.







All the contents on this site are copyrighted ©.