2009-07-31 08:33:35

61 vjet më parë dom Aleksandër Sirdani e dom Dedë Cuni u vranë nga diktatura komuniste


(31.07.2009 RV) Duke shfletuar kalendarin historik, sot me 31 korrik përkujtojmë dy martirët: dom Aleksandër Sirdanin (1892-1948) e dom Dedë Çunin (1914-1948) të cilët pikërisht 61 vjet më parë u mbytën për së gjalli në një gropë gjirizi, në Koplik nga xhelatët e diktaturës komuniste, ku zhvillohej hetuesia e meshtarëve.
Dom Aleksandër Sirdani e dom Dedë Çuni ishin dy figura të shquara, jo vetëm të Kishës katolike, por edhe të kulturës shqiptare, sidomos dom Sirdani, një nga firmat më të njohura, që botoi në shumë organe të shtypit të kohës, sidomos në revistën famëmadhe LEKA të jezuitëve. Prandaj, duhet kujtuar atë çka ndodhi në të kaluarën, nga e cila duhet mësuar shumë, në mënyrë pozitive, nga figura të jashtëzakonshme siç janë dom Sirdani e dom Çuni, në se nuk duam të përsëritet e keqja, dhuna, përndjekja, padrejtësitë e diktatura, në se nuk duam që njerëz të tjerë, të pafajshëm, njerëz me vlerë e kulturë të përfundojnë në gropat e ujërave të zeza, si dy Martirët, që sigurisht nuk kanë rënë në harresë, e as do të bien. Pse? Sepse janë shkruar tashmë në listën e martirëve të Kishës Katolike Universale, që pritet t’i ngjitë në nderimin më të lartë, atë të elterit dhe sepse janë në zemrën e në mendjen e atyre shtetasve shqiptarë që sot gëzojnë ato që mira shpirtërore, njerëzore, kombëtare e shoqërore që u arrtin pikërisht me kontributin dhe gjakun e atyre që u flijuan për liri e për vlera demokratike, prandaj ata nuk e harrohen.







All the contents on this site are copyrighted ©.