2009-07-30 15:37:56

Papa Benedikti XVI ndodhet që dje në Kastel Gandolfo


(30.07.2009 RV)Pas pushimeve në Lë Kombë të Vale d’Aostës, Benedikti XVI u kthye dje në Romë, për të shkuar në rezidencën verore të Kastel Gandolfos. Është tashmë liqeni i mirënjohur i këtij vendi, ai që shoqëron shëtitjet, takimet dhe audiencat në qytetin lacial. Pas mbërritjes, Papa i përshëndeti kështu ata që e pritën:
“Sapo jam kthyer nga mali. Pavarësisht nga aksidenti im i vogël, kalova ditë shumë të bukura, por tani jam i lumtur që ndodhem në Kastel Gandolfo, me ju, në këtë qytet të vogël e të bukur, e shpresoj që të qëndroj me ju për disa javë”.
Edhe familja e madhe e punonjësve të Vilave Papnore ka marrë të gjitha masat që Ati i Shenjtë të kalojë një periudhë të qetë pune e pushimi, siç na shpjegon drejtori i Vilave, Saverio Petrilo:
“Ne përgatitemi të kemi gjithçka në rregull për t’i garantuar mbështetjen logjistike pushimeve të Papës. Kjo është periudha më e bukur e punës sonë, jemi të vetëdijshëm se i shërbejmë drejtpërdrejt Atit të Shenjtë, prandaj personeli bën gjithçka me gatishmëri dhe me entuziazëm të madh. Si zakonisht, Ati i Shenjtë do të kalojë një periudhë pune e pushimi. Që gjatë kësaj jave kemi takime të ndryshme, duke filluar me audiencën e së shtunës paradite për sportistët, të cilët ndodhen në Romë për kampionatin botëror të notit. Të dielën do të kemi Lutjen e Engjëllit të Tënzot dhe pasdite, një koncert. Të mërkurën, audienca e përgjithshme do të zhvillohet në Kastel Gandolfo. Prandaj, pushimi është shumë relativ”.
Ndër njerëzit që pritën Papën në Kastel Gandolfo ishte edhe një murgeshë shqiptare, motër Mire Shpella e Oblateve të Zojës Rruzare. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonëRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.