2009-07-29 17:57:29

Përfundojnë pushimet e Papës në Lë Kombë:'Këtu përjetova paqen qiellore'


(29.07.2009 RV)RealAudioMP3 “Keni qenë si ‘engjëjt e rojës’, të matur e veprues”. Me këto fjalë Benedikti XVI falënderoi sot anëtarët e ndryshëm të Forcave të rendit e të trupave të tjera, të cilët këto 17 ditë i garantuan sigurinë gjatë pushimeve në Lë Kombë të Vale d’Aostës. Gjatë takimit, organizuar rreth mesditës në livadhin para selisë saleziane, që e përbujti, Papa kujtoi edhe thyerjen e kyçit të dorës, ngjarje të cilën – siç u shpreh vetë Ati i Shenjtë – e jetoi si “ftesë nga ana e Zotit për të qenë i përvuajtur”.
Një përshëndetje e shkurtër, plot mirënjohje, përshkuar nga një humor i hollë, gatitur me fjalë që dalin nga zemra, edhe kur të bëjnë të vësh buzën në gaz. Kështu u nda Benedikti XVI nga ata – e ishin disa qindra vetë - që e rrethuan këto dy javë, duke krijuar një rrjet mbrojtjeje njerëzore, pothuajse të padukshme, po të kemi parasysh numrin jo të paktë e zonën relativisht të kufizuar, ku ishin vendosur. Të pranishëm në këtë përshëndetje prekëse, përfaqësues të Policisë, të Mbrojtjes civile, të Zjarrfikësve, të Inspektoriatit të Policisë pranë Vatikanit, të Xhandarmërisë dhe të Shërbimeve Shëndetësore të Vatikanit. Të gjithë të mbledhur për këtë përqafim simbolik nga ana e Papës:
“Të dashur miq, në përfundim të këtyre dy javëve të pushimeve, mund t’ju them me gjithë zemër vetëm: ‘faleminderit’ për shërbimin kaq të aftë, të matur e veprues. Ishit si engjëjt: engjëjt janë të padukshëm, por të gjithpranishëm. Kështu edhe ju. Ishit të padukshëm për mua, por gjithnjë veprues”.
Benedikti XVI tha se i kaloi ditët e pushimit, i zhytyr në një paqe qiellore, në një heshtje të ndërprerë vetëm nga tingujt e Krijuesit, domethënë nga këngët e zogjve. Papa e vlerësoi lart edhe bukurinë natyrore të Lë Kombë, soditjen e së cilës nuk ia trazoi aksidenti në kyçin e dorës. Duke u rikthyer tek koncepti i engjëjve ruajtës, Ati i Shenjtë foli për ta me simpati e thellësi shpirtërore:
“Për fat të keq, engjëlli im ruajtës nuk e ndaloi aksidentin, duke ndjekur, sigurisht, ‘urdhëra nga lart’… ndoshta Zoti deshi të më jepte një mësim më të thellë durese e përvujtërie, duke më siguruar më shumë kohë për lutje e meditim”.
Pasdite, rreth orës 16. 30, Benedikti XVI priti për vizitën e lamtumirës, ipeshkvin e Aostës, imzot Gjuzepe Anfosin, autoritetet zonale dhe drejtuesit e komunës së Introdit. Më pas u nis me helikopter drejt aeroportit Torino-Kasele e, prej aty, me avion drejt aeroportit Romë-Çiampino. Së fundi, me auto, Papa arriti në selinë papnore të Kastel Gandolfos.
Për një përmbledhje të shkurtër të ceremonisë së paradites, në mikrofonin tonë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi:
 
Përgjigje: - Ky është një rit i nevojshëm e i bukur në përfundim të çdo qëndrimi të Papës në selitë verore. Papa, në sa ecte në shtegun e lulishtës së selisë, u takua me një grup të rinjsh salezianë – rreth 35 – të inspektorisë së Piemontit, mbledhur këtu, në Vale d’Aosta, për një takim formues: i përshëndeti, së bashku me inspektorin e tyre, me shumë ngrohtësi. Pastaj shkoi atje, ku të dielën e kaluar kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot. Aty, ku zakonisht rrinë besimtarët, ishin radhitur me rregull të madh, trupat e ndryshme, që kryen shërbimin për garantimin e sigurisë e të pushimeve të qeta të Papës. Ati i Shenjtë u drejtoi një përshëndetje të këndshme, me humor të hollë, duke i krahasuar me engjëjt ruajtës e, më pas, po në këtë livadh, bëri foto me grupet e ndryshme të pranishme. Edhe gazetarët bënë fotografi me Papën e munden kështu t’i drejtojnë edhe ndonjë pyetje, duke folur krejt lirisht me Atin e Shenjtë. Papa ishte në formë shumë të mirë: mund të themi, prandaj, se pavarësisht nga aksidenti i vogël, periudha e pushimeve në Vale d’Aosta pati rezultatin e dëshiruar.

Pyetje: - Ç’bilanc mund të bëni nga këto pushime në Vale d’Aosta?

Përgjigje: - Bilanc pozitiv. Si e dimë të gjithë, ishte pakëz më ndryshe, nga sa qe parashikuar, pra nuk u shtuan shumë rreshta në kapitujt e fundit të Librit mbi Jezusin, por vendin e shkrimit e zuri reflektimi, leximi e lutja, edhe si pasojë e aksidentit. Gjithsesi, siç e tha me shaka edhe vetë Papa, njeriu mëson gjithnjë e nga gjithçka, prandaj edhe aksidenti pati frytet e veta shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.